Ish-gjyqtari i EULEX-it, Malcolm Simmons, i cili raportoi në Kuvendin e Kosovës për skandalet në misionin ligjvënës të Bashkimit Evropian, dëshminë e tij do ta jap edhe para prokurorëve dhe gjyqtarëve të Hagës në Gjykatën Speciale.
Malcolm Simmons, ish-gjyqtar në EULEX është caktuar si dëshmitar i mbrojtjes së nënkryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Nasim Haradinaj.
Lajmi.net ka parë shkresën e avokatëve të Haradinajt, Toby Cadman dhe Carl Buckley, në të cilën thuhet se më 12 korrik, mbrojtja ka dërguar tek gjyqtari paraprak listën e saj me dëshmitarë, ku përfshihet edhe vet emri i Simmons.
Shkresa në fjalë, ashtu siç u cek më lartë ka të bëj me shqetësimet e mbrojtjes për caktimin e gjyqtarit Charles Smith si kryetar i Trupit Gjykues në rastin kundër Haradinajt dhe Gucatit.
Simmons do ta ketë rastin të përballet me Smithin në Gjykatën Speciale, nëse ky i fundit nuk përjashtohet nga rasti, pasi që mbrojtja ka kërkuar që një gjë e tillë të ndodhë, duke përmendur akuzat e vet Simmons ndaj Smith të bëra gjatë raportimit në Kuvend.
Është raportuar më herët për faktin e zgjedhjes së Smithit në Trupin Gjykues në rastin e Gucatit dhe Haradinajt si dhe lakimin e emrit të tij në raportin mbi skandalet në EULEX nga Simmons.
Simmons, në raportin që e posedon lajmi.net, pretendonte se Smith ka ndërhyrë në shumë procese gjyqësore të cilat i ka pasur në dorë misioni ligjvënës i Bashkimit Evropian.
Madje, ai e akuzonte atë për ndërhyrje të pastër në rastin “Kleçka”, ku ishte i përfshirë Fatmir Limaj.
Tutje, Smith nga Simmons akuzohej edhe për ndërhyrje në një proces tjetër të cilin e kishte në dorë një gjyqtare e EULEX. Sipas Simmons, Smith i bënte presion asaj duke i kërkuar që rasti në fjalë të përfundonte me dënim.
Përveç për Smith, mbrojtja në rastin e Gucatit e Haradinajt ka kërkuar që as presidentja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, të mos përfshihet në asnjë rol në rastin kundër dy krerëve të OVL-së.
Ata kanë kërkuar që një gjyqtar tjetër të vendoset në Trup Gjykues.
Kërkesa në fjalë është proceduar tanimë në gjykatë dhe pas marrjes së parashtresave nga palët, pritet të merret edhe një vendim./Botapress/