Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim për caktimin e një muaji paraburgim ndaj ish-policit serb, Dejan Pantiq.
Kjo është konfirmuar nga zëdhënësja e gjykatës, Mirrlinda Gashi.Ai dyshohet për “kryerjen e veprës penale terroriste”, tha ajo.
Pantiq u arrestua më 10 dhjetor në pikëkalimin kufitar në Jarinjë në veri të Kosovës.Sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ai “ka organizuar sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më 6 dhjetor, kur “ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policorë”.
Serbët lokalë ngritën gjashtë barrikada në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok në ditën e arrestimit të tij.
Pikëkalimet kufitare Jarinje dhe Bërnjak janë ende të mbyllura për arsye sigurie.
Autoritetet e Kosovës akuzuan “bandat kriminale serbe, të udhëhequra nga Beogradi”, për disa incidente me armë zjarri dhe shok-bomba që ndodhën ditëve të fundit në veri. Zyrtarët serbë thanë se udhëheqësit e Kosovës po përpiqen “t’i dëbojnë” serbët nga veriu./Botapress.info/