Gjykata Themelore në Prishtinë, ia ka caktuar një muaj paraburgim Shkëlqim Kamerit, si i dyshuar për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë.
Shkëlqim Kameri, 19-vjeç, është personi i pestë që lihet në paraburgim nën dyshimet për dhunimin e 11-vjeçares. Vajza e mitur dyshohet se u dhunua të shtunë, për shtatë orë, nga dy të rritur dhe tre të mitur.
“Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit SH.K e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”, ka njoftuar gjykata, transmeton Express.
Me rastin e caktimit të paraburgimit, “Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, mënyra dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale ku dyshohet se është kryer ndaj viktimës e cila është e mitur dhe me lënien në liri të të pandehurit ekziston rreziku i ikjes, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, ekziston rreziku që i njëjti do të asgjësojë, fshehë, ndryshojë apo edhe të falsifikojë provat e veprës penale, ndikimit në të dëmtuaren dhe në dëshmitarë andaj masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë preventive që do të parandaloj të njëjtin në përsëritjen e veprës penale të njëjtë apo të ngjashme”, thuhet tutje në njoftim.