Gjykata e Apelit sot gjatë ditës ia ka konfirmuar aktakuzën deputetit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani.
Ai akuzohet për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës dhe pengimin e personave zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare.
Për këtë aktakuzë Ramadani ka vendosur që të reagoj tani. Në një postim në Facebook ai ka treguar se nuk frikësohet për këtë aktakuzë dhe se nuk pendohet për veprimet që i ka bërë.
“Mirëpo, siç edhe më herët e kam bërë të ditur, për veprimet politike që i kam bërë në mbrojtje të sovranitetit e integritetit territorial të vendit, as nuk frikësohem e aq më pak pendohem. Sepse ato veprime me bazë e për çështje politike, kanë qenë të domosdoshme”.
Ky është reagimi i plotë në Facebook:
Sa mirë që sot ka qeveri që e mbron territorin dhe e lufton korrupsionin, dhe nuk ka nevojë për protesta. Përndryshe gjithmonë kam me protestu për territorin e vendit tim dhe kundër korrupsionit, dhe mendoj se kështu duhet të veprojë secili.
Nuk e di pse dhe kujt i intereson që po bëhet lajm që Gjykata e Apelit e paska konfirmuar aktakuzën që më është ngritur për hedhjen e gazit lotsjellës kundër Demarkacionit që na i ka humbur 8200 hektarë. Ky informacion për publikun ka qenë i ditur, e kanë publikuar edhe para zgjedhjeve, sigurisht me synim që ta pengojnë kandidimin tim.
Mirëpo, siç edhe më herët e kam bërë të ditur, për veprimet politike që i kam bërë në mbrojtje të sovranitetit e integritetit territorial të vendit, as nuk frikësohem e aq më pak pendohem. Sepse ato veprime me bazë e për çështje politike, kanë qenë të domosdoshme.
Fatkeqësia e vetme është se Demarkacionin e patën votuar shumica e atëhershme, kurse vendit tonë ia patën rrudhur 8200 hektarë.
Ky është i vetmi shqetësim imi. Përtej kësaj apo personalisht ndaj meje, gjithçka tjetër është jorelevante!