Valdet Jashari është një nga të mbijetuarit nga rezistenca e familjes Jashari kundër ushtrisë e policisë serbe mes datave 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998. Në një rrëfim për Klan Kosovën, z. Jashari ka treguar krejt çka i kujtohet nga ato ditë të rezistencës.
“Kemi incizime kur tanku e godet shtëpinë ku ne ishim brenda, kur nuk mund të hynin brenda i kanë kallur gjithë shtëpitë që kanë qenë aty dhe e kanë gjuajtur një granatë në dhomën ku kemi qenë unë Hamiti, Ramizi, Shahini, dhe në atë moment mua më ka humbur vetëdija, ku jam plagosur dhe kur më ka dalë mpirja e kam parë që afër meje kishte qenë bali Hamit duke u kallur dhe kam filluar ta fikja me duar, ku ka filluar mishi të më kapej në duar”, ka treguar Valdeti për Klan Kosova.
Tutje, z. Jashari ka theksuar edhe momentin kur është tërhequr nga një shtëpi.
“Aty kemi mbetur unë Shahini dhe Ramizi. Ramizit i kemi thënë dil mbi kulm dhe kalo në anën tjetër, por në momentin që ka dalë mbi kulm e ka qëlluar tanku. Unë dhe Shahini jemi tërhequr nga shtëpia e Sadikut, ka qenë natë, kam qenë i plagosur në gojë, në kokë, në trup, dhe këmbët e kallura.” – ka shtuar ai.
Ndryshe, Valdet Jashari është pjesë e FSK-së, ndërsa në masakrën e Jasharajve, ai humbi 11 anëtarë.