Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili sot tha se nuk mund të kërkojë nga një shtet i tretë garanci për mbrojtjen në liri të ish krerëve të UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë, pasi atje, sipas Kurtit, nuk po gjykohet shteti i Kosovës.
Ndër të tjera Gjoshi i tha Kurtit që ta braktisë betejën që ka nisur bashkë me Vjosa Osmanin kundër shtetit të Kosovës dhe kundër UÇK’së.
Gjoshi, përmes një postimi në Facebook, tha se kryeministri është gabim, sepse “në Hagë po gjykohet pikërisht shteti i Kosovës”.
“Përmes kësaj deklarate, ti kryeministër po ik nga obligimi shtetëror për të mbrojtur luftën e popullit tënd për liri dhe pavarësi”, ka shkruar Gjoshi.
Postimi i plotë i Gjoshit:
“Jo kryeministër, ti je gabim!Në Hagë po gjykohet pikërisht shteti i Kosovës.
Në Hagë po gjykohet lufta e drejtë për lirinë e Kosovës.Në Hagë po gjykohet e drejta e shqiptarëve të Kosovës për shtet të pavarur.Në Hagë po gjykohet edhe ndihma e botës demokratike për të ndaluar Serbinë gjenocidale.
Përmes kësaj deklarate, ti kryeministër po ik nga obligimi shtetëror për të mbrojtur luftën e popullit tënd për liri dhe pavarësi.
Ti po ik nga mbrojtja e themeluesve të shtetit të Kosovës sepse edhe ti e din se pa UÇK-në askush prej nesh nuk do të jetonte sot në Republikën e Kosovës, por me shumë gjasë do të ishte akoma refugjatë në ndonjë shtet të rajonit ose më larg.
Mos e luaj qëllimisht të paditurin.
Braktise betejën që ke nisur me Vjosa Osmanin & Co kundër shtetit të Kosovës dhe kundër UÇK-së”, ka shkruar Gjoshi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencën për shtyp pas mbledhjes së Qeverisë ku është miratuar programi qeverisës, ka folur edhe lidhur me mundësinë e garantimit të lirimit me kusht të krerëve të UÇK-së, të akuzuar nga Gjykata Speciale e që po mbahen në paraburgim në Hagë.