Sekretari organizativ i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Betim Gjoshi ka reaguar lidhur me audio-incizimet në mes Mimoza Kusari-Lilës dhe Slavko Simicit, që janë publikuar ditë më parë, transmeton Botapress.info
Në një postim në Facebook, Gjoshi ka thënë se janë bërë 10 ditë që kur janë publikuar faktet me zë të “koordinimit kriminal të Albin Kurtit me Milan Radojçiqin përmes Mimoza Kusarit dhe Slavko Simiqit”.
Ai shton se Prokuroria e Shtetit ende nuk ka ftuar në intervistim Albin Kurtin dhe Mimoza Kusarin.
“Prokuroria e Shtetit ende nuk ka ftuar në intervistim Albin Kurtin dhe Mimoza Kusarin si dy njerëz që jo vetëm kanë njohuri se ku ndodhet një kriminel i kërkuar me Urdhërarrest nga Prokuroria Speciale, por edhe bashkëpunojnë e koordinojnë punët shtetërore me të”, ka shkruar Gjoshi në Facebook.
Skeretari organizativ i PDK-së, më tej ka shtuar se “nuk ka më sekret se Qeveria Zdravo është duke funksionuar si pushtet i frikës dhe që lufton institucionet e pavarura shtetërore”. /Botapress.info/