Edhe aktivisti Rron Gjinovci ka reaguar pas shkarkimit të rektorit të Universitetit të Prishtinës, Naser Sahitit. Gjinovci ishte i ashpër me përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit në Këshillin Drejtues të UP’së, të cilët sipas tij kanë bërë pakt me plagjiatorin Selim Berezaj dhe infamozin Rifat Krasniqi.
“Në mesin e 5 anëtarëve të dërguar nga Senati më të votuarit e tyre kanë qenë plagjiatori Selim Bezeraj dhe infamozi Rifat Krasniqi. Për ta shkarkuar rektorin duhen 6 vota. Pra, as përfaqësuesit e Senatit as ata të Ministrisë nuk mund ta bëjnë këtë pa një bashkëpunim”, shkroi ai në Facebook.
Më tej, Gjinovci vazhdoi: “Kjo tregon që përfaqësuesit e Ministrisë në krye me Altin Sahitin që edhe e drejton këtë Këshill, kanë bërë pakt me selimët dhe rifatët për ta shkarkuar rektorin që denoncon publikisht plagjiaturën.”
“Urime reforma me Rifatin, Selimin, Dugollin, Kastratin!”, tha në fund Rron Gjinovci.
Rektori Sahiti u shkarkua sot pasdite nga Këshilli Drejtues, me 8 vota për dhe 1 abstenim./Botapress.info/