Ambasadori gjerman në Beograd, Thomas Schieb ka thënë se qëndrimi i Berlinit për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nuk ka ndryshuar dhe se në fund të procesit të normalizimit është e nevojshme njohja reciproke e dyja palëve.
Në fund të mandatit të tij katërvjeçar në Serbi, ai thotë se është vendosur qartë korniza për negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat po zhvillohen me mbështetjen e BE-së dhe të dërguarit Miroslav Lajçak.
Diplomati gjerman deklaroi mes tjerash në një intervistë për FoNet se vendi i tij, Gjermania ofron mbështetje të pakufizuar për këtë proces.
“Për momentin, dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është i ngadalshëm, por është e rëndësishme për ne që në një të ardhme të parashikueshme të arrijmë një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve, pasi kjo do të përshpejtojë procesin e anëtarësimit të të dyja vendeve në Bllok”, tha ai.
Schieb vlerëson se mungon vullneti politik për të bërë progres më të shpejtë dhe për të arritur disa rezultate, por thekson se kohëve të fundit është bërë përparim në bashkëpunimin energjetik, edhe pse sipas tij mbetet të shihet se si do të realizohet kjo marrëveshje.
Diplomati gjerman mohoi se qëndrimi i vendit të tij kishte ndryshuar në lidhje me rezultatin e dialogut të Brukselit.
“Serbia, si kandidate për anëtarësim në BE, duhet t’i bashkohet të gjitha sanksioneve dhe masave të marra nga Bashkimi. Në fund të fundit, është vendimi i Serbisë nëse dhe kur do ta bëjë këtë. E kemi thënë qartë se këtë e presim nga ajo”, deklaroi i dërguari i Berlinit në Beograd.
Duke folur për procesin e integrimit në BE, ai theksoi se në momentin kur Serbia përmbush të gjitha kushtet e vendosura, nuk sheh asgjë që do ta pengonte anëtarësimin e saj./Botapress.info/