Gjermania i bën thirrje Kosovës dhe Serbisë: Respektoni marrëveshjet pa vonesa

Gjermania u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri tani, pa vonesa, dhe të përmbahen nga çdo veprim apo deklaratë që mund të shkaktojë tensione.

Në një deklaratë të lëshuar pas takimit të dy ditëve më parë mes Emisarit të BE-së, Peter Sorensen, dhe Ministrit të Shtetit të Gjermanisë, Gunther Krichbaum, është theksuar mbështetja e Berlinit për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“I inkurajoj të dyja vendet që të angazhohen sërish plotësisht në procesin e dialogut. Kjo përfshin mundësimin e lëvizjes së lirë dhe të sigurt, përfshirë për negociatorët dhe ekipet e tyre, si dhe përmbajtjen në deklaratat publike, duke pasur parasysh mandatin e tyre përkatës. Gjermania është e gatshme të mbështesë të dyja vendet në përparimin drejt një procesi të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe paqësor të normalizimit”, ka deklaruar Krichbaum.

Qeveria gjermane ka theksuar se po ndjek nga afër zhvillimet e fundit, përfshirë arrestimin e ish-policit të Kosovës, Arbnor Spahiut, nga autoritetet serbe, dhe arrestimin e Igor Popoviçit në Kosovë.

“Në këtë frymë, ne po e ndjekim nga afër arrestimin e Zëvendësdrejtorit serb Igor Popović në Kosovë. Çdo masë e privimit nga liria duhet të jetë e justifikuar dhe proporcionale. Ne po e ndjekim gjithashtu nga afër arrestimin e shtetasit kosovar Arbnor Spahiu nga autoritetet serbe, dhe presim që Serbia të sigurojë zbatimin e duhur dhe të shpejtë të procedurave ligjore, të respektojë të drejtat themelore dhe të garantojë një proces gjyqësor të drejtë – në përputhje me Marrëveshjen për Drejtësinë nga Dialogu, e cila përcakton se procedurat penale për vepra të kryera në Kosovë duhet të zhvillohen në parim në Kosovë”, thuhet më tej.

Krichbaum ka ripërsëritur qëndrimin e Berlinit se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian, ndërsa normalizimi i marrëdhënieve Kosovë–Serbi mbetet kusht themelor.

“Dialogu dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore janë shtylla të një BE-je të fortë”, përfundon deklarata.

Të tjera