Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, të mërkurën u nis drejt Moskës për ta çuar përpara ndërtimin e gazsjellësit multimiliardësh në bashkëpunim me kompanitë ruse, tha një zyrtar.
Udhëtimi i kryeministrit pakistanez për t’u takuar me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe për të diskuar për çështje përfshirë bashkëpunimin ekonomik, vjen disa orë pasi disa shtete perëndimore e goditën Rusinë me sanksione të reja për dërgimin e ushtrisë në një pjesë të Ukrainës Lindore.
“Të dyja vendet janë të etura për ta nisur projektin sa më parë”, i tha agjencisë “Reuters”zëdhënësi i Ministrisë së Energjisë në Pakistan për gazsjellësin pakistanez. Ai konfirmoi se ministri pakistanez i Energjisë, Hammad Azhar, është duke e shoqëruar Kryeministrin Khan në vizitë, përcjell Gazeta Express.
Për gazsjellësin e gjatë 1.100 kilometra, i njohur ndryshe edhe si gazsjellësi “Veri – Jug”, fillimisht ishte arritur marrëveshje në vitin 2015 dhe pritej që projekti të financohej nga Moska dhe Islamabadi, duke përdorur një kompani ruse për ta ndërtuar atë.
Në një intervistë para udhëtimit për në Moskë, kryeministri pakistanez shprehu shqetësim për gjendjen në Ukrainë dhe për mundësinë e sanksioneve të reja dhe efektin e tyre ndaj bashkëpunimit me Moskën.
Nuk është e qartë se si do të ndikojnë sanksionet e reja në këtë projekt, me të cilin do të transportohej gaz natyror nga Karaçi në bregdetin e Detit Arab te qendrat energjetike në provincën verilindore, Punjab.