Kryetari i partisë “FJALA”, Gëzim Kelmendi e ka porositur kryeministrin Albin Kurti që ta lexojë një libër të autorit Omer ibn AbdulAzizit.
“I nderuar kryeministër Kurti, lexoni pak për Omer ibn AbdulAzizin!”, ka thënë Kelmendi, përcjellë në një komunikatë partia e tij.
Njëri ndër udhëheqësit e drejtë të muslimanëve Omer ibn AbdulAzizi, gjatë udhëheqjes së tij brengosej jo vetëm për shëndetin e njerëzve por edhe të kafshëve. Përveç udhëheqjes së shtetit, kujdesej edhe për tokat ku kullosnin delet. Ai kishte thënë se frikësohem gjatë udhëheqjes time, mos ndonjë dele rrëzohet dhe e lëndon këmbën. Ai na ka treguar se çdo krijesë që ka shpirtë duhet të ketë kujdesin e merituar institucional. Po njeriu? Njeriu meriton shumë e ma shumë kujdes, respekt, dinjitet dhe mbështetje institucionale”, thuhet në porosinë e Kelmendit.
Ai i ka thënë Kurtit se Kosova sot po përballet me situatë të rëndë me pandeminë.
“I nderuar nderuar kryeministër Kurti të gjithë e dijmë që ke lexuar shumë për Leninin, Che Guevaren, Fidel Castron, Enver Hoxhën etj. Përveç kësaj i ke porositur edhe shokët dhe aktivistët tuaj të lexojnë për Leninin dhe të tjerët, por Lenini dhe të tjerët janë shembulli më i keq i udhëheqjes së shtetit në përgjithësi dhe në kohë të pandemive në veçanti”, thotë Kelmendi.
Tutje, ai i kërkon kryeministrit të gjejë pak kohë për t’i lexuar biografitë e disa prej udhëheqësve myslimanë si Ebu Bekri, Omer ibn Hattabi, Omer ibn AbdulAzizi e të tjerë.
“I nderuar kryeministër Kurti gjeni pak kohë dhe lexoni për biografinë e disa prej udhëheqësve të drejtë të muslimanëve si: Ebu Bekrin, Omer ibn Hattabin, Omer ibn AbdulAzizin dhe të tjerët.
Keni për të mësuar shumë nga jeta dhe vepra e tyre.
Do ta kuptoni çka do të thotë drejtësia, shteti dhe jeta e njeriut”, deklaron Kelmendi.