Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka deklaruar se masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, që janë arsyetuar me “mungesën e hapave të vendosur për të shtensionuar situatën në veri”, janë të padrejta dhe të pakuptueshme, raporton Gazeta Sinjali.
Në një konferencë për media bashkë me homologun e saj shqiptar, Igli Hasani, Gërvalla i ka akuzuar diplomantët evropianë, teksa tha se masat ndaj Kosovës nuk mund të ndihmojnë për të heshtur rreth fatkit se topin tashmë e ka në dorë BE-ja.
Gërvalla tha se ndërmjetësuesit duhet që ta sjellin në tavolinën e bisedimeve Serbinë, për të nënshkruar marrëveshjet që janë arritur.
“Masat ndaj Kosovës i kemi cilësuar si të padrejta dhe të pakuptueshme, për shkak se asnjë diplomat evropian nuk është në gjendje të jap një vlerësim real se kur konsiderohen kushtet e përmbushura me qëllim që të hiqen masat. Ka konfuzion të madh mes diplomatëve evropianë se çfarë konsiderohet çtensionim dhe kur konsiderohen të përmbushura.
Masat e padrejta ndaj Kosovës nuk mund të ndihmojnë për të heshtur rreth faktit se në tetor topi ka kaluar te BE-ja dhe është radha e ndërmjetësuesve të BE-së që të sjellin Serbinë në tavolinë, me një qasje konstruktive për të nënshkruar marrëveshjet që janë arritur vitin e kaluar.
Kosova është treguar konstruktive në proces dhe është e interesuar që të arrijë rezultate. Ka ardhur koha që BE të thotë fjalën e vet për atë çfarë ka ndodhur në Banjskë dhe të mos lejohet që injorimi i fakteve të sjellë incidente të reja” – tha Gërvalla.