Gazi amerikan, çfarë thonë nga Oda Ekonomike Amerikane dhe Oda Ekonomike e Kosovës?

Gazi amerikan është bërë një nga temat më të diskutuara në sektorin energjetik të Kosovës gjatë periudhës së fundit, derisa debati ka të bëjë me mundësinë e përfshirjes së Kosovës në projektet rajonale të gazit të lëngshëm natyror (LNG) të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përkrahësit e këtij projekti, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Oda Ekonomike e Kosovës një ditë më parë kanë lëshuar komunikata lidhur me këtë çështje, duke thënë se furnizimi me gaz amerikan do të rriste sigurinë energjetike, do të zvogëlonte varësinë nga importi i energjisë elektrike dhe do të krijonte mundësi të reja për zhvillim ekonomik.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë të mërkurën përmes një komunikate për media ka shprehur shqetësimin e saj serioz lidhur me siç theksojnë mungesën e vazhdueshme të konsideratës nga ana e Qeverisë në detyrë të Republikës së Kosovës për thirrjet e përsëritura të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të mbështetur përfshirjen e Kosovës në infrastrukturën dhe rrjetin e furnizimit me gaz të lëngshëm natyror (LNG).

OEAK thekson se në një kohë kur Kosova vazhdon të mbetet tejmase e varur nga kapacitetet e vjetruara gjeneruese, importet e mëdha të energjisë elektrike dhe një treg rajonal energjetik gjithnjë e më i paqëndrueshëm, qasja në gazin e lëngshëm amerikan përfaqëson jo vetëm një mundësi energjetike, por edhe një zgjedhje strategjike.

“Diversifikimi i burimeve të energjisë, rritja e sigurisë së furnizimit dhe forcimi i konkurrueshmërisë ekonomike duhet të mbeten ndër prioritetet kombëtare të Kosovës.

Veçanërisht shqetësues është fakti se të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë shprehur zotimin e tyre për t’u bërë pjesë e infrastrukturës rajonale të LNG-së, e cila po zhvillohet me mbështetje të fuqishme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kosova rrezikon të mbetet jashtë një kornize strategjike rajonale që po përcakton gjithnjë e më shumë të ardhmen e sigurisë energjetike dhe zhvillimit ekonomik në Evropën Juglindore”, thuhet në reagim.

Oda Amerikane vlerëson se partneriteti strategjik i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet një nga asetet më të rëndësishme kombëtare të vendit.

“Shpërfillja e vazhdueshme e qëndrimeve dhe prioriteteve strategjike të aleatit më të afërt të Kosovës bart rrezikun e ndikimit në cilësinë dhe thellësinë e këtij partneriteti me kalimin e kohës.

Prandaj, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i bënë thirrje institucioneve të Kosovës që të rivlerësojnë me kujdes implikimet afatgjata strategjike, ekonomike dhe gjeopolitike të qëndrimit jashtë nismave rajonale për LNG-në dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për këtë çështje me rëndësi të veçantë”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Lidhur me projektin e gazit amerikan, po të mërkurën kanë reaguar edhe Oda Ekonomike të Kosovës.

OEK ka bërë thirrje për veprime urgjente nga institucionet e Kosovës për përfshirjen e vendit në projektet rajonale të gazit natyror, duke e cilësuar këtë si të domosdoshme për sigurinë energjetike dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Oda paralajmëron se refuzimi ose mosangazhimi në projektet e gazit amerikan mund të ndikojë negativisht në partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe në pozicionimin e Kosovës në zhvillimet energjetike rajonale.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor po avancojnë shpejt në zhvillimin e infrastrukturës së gazit dhe lidhjeve me burime alternative furnizimi, përfshirë projektet LNG me mbështetje ndërkombëtare. Mungesa e Kosovës në këto iniciativa e vendos vendin në disavantazh ekonomik dhe kufizon mundësitë për investime të reja strategjike”, thuhet në reagimin e OEK.

Në këtë drejtim, Oda Ekonomike e Kosovës i bën thirrje institucioneve që të intensifikojnë dialogun me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë, për të siguruar përfshirjen aktive të Kosovës në projektet energjetike të së ardhmes.

OEK rikujton se ka kërkuar edhe më herët veprime urgjente në këtë drejtim, duke theksuar se diversifikimi i burimeve të energjisë dhe zhvillimi i infrastrukturës së gazit janë thelbësore për sigurinë e furnizimit dhe rritjen ekonomike të vendit. /Telegrafi/

Të tjera