Tavolina disametërshe nga shumëkush thuhet se shpjegon karakterin e Putinit prej paranojaku dhe mosbesuesi. Dikush ka montuar presidentin ukrainas përballë Putinit në atë tavolinë. Zelensky aty mban një pozicion, siç e shohin dhe admirojnë njerëzit nëpër botë; duket modern, moskokëqarës dhe pa respekt për Putinin.
Presidenti rus, Vladimir Putin, nuk ka diçka më të famshme së fundmi, sesa tavolinën e tij disametërshe. Aty, ai i mban takime në distancë, edhe më bashkëpunëtorët më të afërt.
Ka lloj-lloj legjendash pse Putini i do njerëzit në distancë. Të shumta janë ato rreth frikës që mund të ketë prej virusit, deri te ndonjë atentat.
Nga ana tjetër, është kundërshtari i tij, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. Krejt i kundërt nga Putini. I afërt me njerëzit dhe miqtë e tij. Nuk duhet ndonjë matje për të konstatuar se ai është i admirueshëm kudo në botë.
Derisa po shpërndahet një fotografi-montazhë e Zelenskyt në tavolinën e Putinit, gazetari Tim Judah shkruan se kjo jep një tregim përtej shakaje.
“Më e rëndësishme se sa vetëm shakaja është se si Zelensky ka zaptuar zemrat dhe mendjet në vendin e tij dhe jashtë. Zelensky është një burrë modern evropian, ndërsa Putini është vdekjeprurës dhe i largët nga qytetarët”, shkruan Judah.
Zelensky ka treguar se është i gatshëm ta takojë Putinin. Madje, në disa adresime publike, liderin e një shteti shumëfish më të fortë, e ka pyetur se pse po i frikësohet përballjes me të. Ia ka përmendur edhe tavolinën disametërshe, duke u tallur me të.
Zelensky po qëndron në Kyiv, kryeqytetin e Ukrainës, që forcat ruse po tentojnë ta marrin që dy javë. Rezistencës popullore po i prin lideri ukrainas.
![Ukrainian leader Volodymyr Zelensky vows to fight on in Kyiv](https://i.tmgrup.com.tr/anews/v1/2022/02/26/ukrainian-leader-volodymyr-zelensky-vows-to-fight-on-in-kyiv-1645859784853.jpeg)
Është raportuar se ka pasur disa atentate ndaj tij. Zelensky duket i vetëdijshëm se është në rrezik për jetë. U ka thënë përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe senatorëve amerikanë në lidhjet e tij direkte, se mund të jetë hera e fundit që e shohin të gjallë.
ShBA-ja i ka ofruar strehim Zelenskyt, por ai ka refuzuar të largohet nga kryqyteti ukrainas, rreth të cilit po bëhen beteja, e mbi të cilin po kryhen sulmet ajrore të Rusisë.
![We are all here,' Ukraine's Zelensky says in video from Kyiv | Al Arabiya English](https://vid.alarabiya.net/images/2022/02/25/65469ca3-ce31-43d8-8687-468f99aafb1a/65469ca3-ce31-43d8-8687-468f99aafb1a_16x9_1200x676.jpg)