Sipas gazetes, në këtë aferë është përfshirë edhe këshilltari i ministrit Aliu, Florent Ramqaj, ku në përgjime dëgjohen familjarët e Ramqajt duke bërë pazare dhe duke kërkuar 30 mijë euro ryshfet.
Kompania në fjalë kishte për detyrë që të shkruante raportin për punët e kryera nga kompanitë e caktuara. Dhe, në vend se të kryente punën siç e parashikonte ligji, përfaqësuesi i kompanisë dëgjohet duke keqpërdorur detyrën zyrtare, pra pushtetin, për të marrë përfitime financiare.
Në këto përgjime, sipas Nacionales përmendet edhe emri i ministrit Liburn Aliu, ku në një sekuencë të përgjimeve, përfaqësuesi i “Infratek-ut” thotë “e ka jaran Liburnin”, duke mbështetur kështu kërkesën për ryshfet, e cila në një moment shndërrohet edhe në kërcënim – ndaj viktimës.
Por, këshilltari i ministrit Aliu, Florent Ramqaj, si duket ka pasur pikëpamje tjetër për aferat e korrupsionit në vitin 2016.
Në kohën kur në opinion ishte publikuar “Dosja e Shefave” apo siç njihet për opinionin “Rasti pronto”, Ramqaj kishte komentuar përgjimet ku dëgjohej ish-deputeti i PDK-së, Adem Grabovci.
“Biseda e trete: Xhelali ne bord të Universitetit te Pejes ashtu si e ka shti Adem Grabovci”, kishte shkruar Ramqaj në vitin 2016 në rrjetin social Twitter, transmeton Botapress.info
Me këtë postim, Ramqaj aludonte në Xhelal Radoniqin, mikun e Adem Grabovcit, të cilin ky i fundit aludohej se kishte shfrytëzuar ndikimin e tij për ta bërë anëtar të Bordit të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë.
Sa i përket përgjimeve të publikuara, Ramqaj përmes një postimi në Facebook i ka mohuar të gjitha akuzat, duke thënë se janë të pavërteta dhe shpifje.
“Pikërisht në kohën kur lëre që nuk ka keqpërdorime por edhe ku janë duke u luftuar e denoncuar cdo ditë keqpërdorimet e mëdha që kanë ndodhur, sidomos në ministrinë Infrastrukturës, sot qenka publikuar një emision, ku për ironi lakohet emri im për kinse keqpërdorime. Sot, pastërtine time unë po e shprehi në dy mënyra. Së pari, duke i cilësuar si të pasakta dhe të pavërteta pretendimet edhe interpretimet e bëra – që më së shumë tregojnë për familjarizimin e autorit të këtij emisioni me praktikat korruptive të deritanishme. Së dyti, duke shprehur gatishmërinë por edhe duke u bërë thirrje të gjitha institucioneve të hetuesisë dhe drejtësisë që të trajtojnë cdo dyshim mbi veprimtarinë time përgjatë kohës sa jam i angazhuar në ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës
Me krimin dhe korrupsionin që e kemi hasur në këtë ministri, kemi pritur sulme të tilla. Luftën me krimin e organizuar nuk e kemi menduar asnjëherë të lehtë. Sa me madhe lufta jonë, aq i madh sikleti i tyre”, thuhet në reagimin e Ramqajt.
Ai dje ka paralajmëruar padi për shpifje rreth këtyre publikimeve. /Botapress.info/