Afrim Gjukaj, djali i xhaxhait të Gani Gjukaj, shoferi i cili u vra në sulmin që iu bë autobusit në fshatin Gllogjan ku mbetën të vdekur edhe dy nxënës, ndërsa një tjetër i lënduar ka thënë se nuk kanë dyshime në dikë.
Ai thotë se Ganiu nuk ka pasur ndonjë shqetësim dhe se nuk kanë ide se kush e ka bërë këtë sulm.
“Për besë deri në këto momente jo, nuk ka pas ndonjë shqetësim nga ana e djalit të agjes, apo ndonjë shqetësim nga familja, nuk kemi ide se nga kush ka ardhur”, tha Gjukaj në ATV.
Ndërsa ka shtuar se i ndjeri ka pasur relacione të mira me përfaqësuesit e kompanive të tjera të autobusëve.
“Kryesisht relacionet kanë qenë të mira, duke u bazuar edhe nga dita e varrimit që ishin përfaqësuesit e të gjitha kompanive që udhëtojnë për Prishtinë, për Gjakovë, për Prizren ishin të gjithë edhe në shprehje të ngushëllimeve edhe në ditën e varrimit. Nuk ta jep që ka pasur ndonjë problem me ta”, tha ai.
Gjukaj tregon djali xhaxhait të tij ka 16 vite që është pronar i kompanisë.
“Që 16 vite është si pronar i kompanisë, por njëkohësisht ka vozitur kohë pas kohe ka qenë edhe shofer, por nuk ka pasur një keqkuptim apo ndonjë marrëdhënie të keqe me asnjë sa jemi në dijeni si familje”, tha ai.
Derisa eliminon mundësinë që sulmi të jetë bërë si pasojë e linjave të autobusëve.
“Kategorisht i eliminojmë mundësitë që ka të bëj me linjat e autobusëve, nuk ka pasur konflikte që me ardhë deri te vrasja e pronarit të kompanisë”, tha Gjukaj.
Ai gjithashtu thotë se ata si familje nuk ndjehen në rrezik pasi që nuk janë në konflikt me askënd.
“Asnjë rrezikim ne nuk e ndjejmë sepse nuk i kemi borxh kerkujt, as nuk i kemi bërë kujt keq, as nuk na ka realisht borgj kush deri në zbardhjen e rastit unë nuk di çfarë të them më tepër. Ne si familje ua kemi lënë rastin institucioneve përkatëse”, thotë Gjukaj.