Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka filluar takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kurti dhe Vuçiq zhvilluan paraprakisht takime të ndara me ndërmjetësuesit e procesit, shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Sipas njoftimit të BE-së, temë e takimit trepalësh është zbatimi i Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, e arritur gojarisht mes Kurtit dhe Vuçiqit në muajin shkurt.
Kjo marrëveshje me 11 nene parasheh, mes tjerash, një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë; kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, dhe i obligon ato që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.
Kurti dhe Vuçiq, sipas agjendës që ka publikuar BE-ja, do të diskutojnë edhe për “çështjet aktuale”.
Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje që t’i marrin seriozisht obligimet e tyre.
Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se nga ky takim pritet zbatimi i marrëveshjes bazike në Ohër.
“Kanë kaluar 1 vit prej prezantimit të parë të draftit të Marrëveshjes Bazike dhe po bëhen tash 6 muaj prej dakordimit mbi tekstin final të Marrëveshje Bazike në Bruksel. Duhet zbatim i plotë, i shpejtë dhe pa kushte i saj. Në takimin e të enjtes, presim që pika e kyçe e takimit që jetë diskutimi drejt finalizimit të planit të sekuencimit të zbatimit të Marrëveshjes Bazike, i cili duhet të jetë i drejtë, i balancuar dhe gjithëpërfshirës”, ka deklaruar Kryeziu për RTV21.