Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica ka kërkuar që të hiqet nga rend i ditës, pika për zgjedhjen e Komisionerit për Informim dhe Privatësi.
Ai i ka bërë thirrje grupit parlamentar të VV-së që ta tërheqin këtë pikë të rendit të ditës.“Ne kërkojmë që pika e nëntë e rendit të ditës të largohet. Ka pasur kundërshtime këtyre ditëve. Kërkojmë nga Lista Serbe dhe nga VV-ja që ta tërheqin këtë pikë”, ka thënë ai.
Në ndërkohë, u.d. e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se nuk do ta tërheqin këtë pikë të rendit të ditës.
“Argumentet që i prezantoi z.Recica nuk qëndrojnë. E kemi pasur një proces që ka shkuar në rrugën siç ka qenë e paraparë. Ky proces ka ardhur në seancë dhe seanca vendos. Thirrja për tërheqje është një thirrje për të vazhduar me proces të votimit. Ne kërkojmë që të procedohet kjo pikë e rendit të ditës”, ka thënë Kusari Lila.
Në ndërkohë, shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka thënë se për kandidatët e përzgjedhur ka pasur vërejtje të shumta.
“Ne e kemi shqyrtuar këtë problem. Është prish një traditë e vazhdueshme në Kuvend, ku janë formuar grupe punues që kanë intervistuar kandidatët, i kanë përzgjedhur dhe i kanë dërguar në Komision. Kandidatët që janë përzgjedhur janë kandidatë për të cilët ka vërejtje të shumta. Mendoj se është e rëndësishme që të kemi përfaqësues jo politik. Propozimi për tërheqjen nga rendi i ditës është i arsyeshëm dhe duhet të tërhiqet”, ka thënë Gashi.
Edhe Bekë Berisha nga AAK-ja ka kërkuar që kjo pikë e rendit të ditës të tërhiqet.
“Sa i përket çështjes së Komisionerit, mendoj se ky konkurs është kompromentuar. Nuk do t’i përfaqësoj gjithë qytetarët dhe deputetët. Është e drejtë që të hiqet nga rendi i ditës dhe të bëhet konkursi për së dyti”, ka thënë Berisha.
Me 19 për, 53 vota kundër nuk ka kaluar propozimi i PDK-së për tërheqjen nga pika e rendit të ditës, votimi për Komisioner për Privatësi dhe Informim.
Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot në ora 10:00 seancë plenare. Në rend dite janë 9 pika. Ndër to edhe zgjedhja e Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, për të cilën gjatë ditës së djeshme, opozita por edhe shoqëria civile kërkuan që të hiqet nga rendi i ditës.
Në një komunikatë për media organizatat e shoqërisë civile thonë se kandidati për këtë pozitë, Enver Bujari, ka manipuluar me CV-në e tij, duke mos ofruar dokumentin që dëshmon mbi përvojën e punës, ashtu siç është kërkuar me konkurs dhe ligj, por vetëm raportin e Trustit Pensional.
Shoqëria civile vlerëson se Komisioneri për Informim dhe Privatësi do të jetë personi më i rëndësishëm në Kosovë në mbrojtjen e të dhënave personale dhe garantimin e qasjes në dokumente publike.
“Ai duhet të jetë profesional, pa ngjyrosje politike dhe me integritet të lartë. Shpresojmë që Lëvizja Vetëvendosje do të reflektojë dhe nuk do të rrezikojë një institucion kaq të rëndësishëm”, thuhet në njoftim.
Ky është rendi i ditës:
1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
2. Pyetjet parlamentare,
3. Propozim-vendimet për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit nr. 08-V-006, dt. 02.04.2021 për formimin e komisioneve parlamentare,
4. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-004 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-132 për Automjete,
5. Shqyrtimi i propozimit të Qeverisë së Kosovës për ratifikimin e shtatë (7) anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë Kosovare të Akreditimit,
6. Shqyrtimi i propozimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës,
7. Zgjedhja e kryesuesit të Komisionit Shqyrtues në Autoritetin Rregullator për Shërbimet e Ujit,
8. Zgjedhja e Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi,
9. Propozim-rezoluta nga debati parlamentar në lidhje situatën ekonomike si pasojë e pandemisë COVID-19./Botapress/