Jo vetëm sic shihet nga videoxhirimet e takimit të Dubovikut, por edhe në bazë të deklaratave të njerëzve përgjegjës për disa komuna të Listës “Guxo” të bëra nëpër mediat tona së fundi, shihet kjartë se fati i një subjekti të ri që pretendohej të bëhej është përcaktuar tanimë: nuk do ketë subjekt të mirëfilltë politik të dalë nga euforia elektorale e 14 shkurtit 2021 nën siglën “Guxo.”
Është e kjartë që për shumë njerzë që me besim, përkushtim, e besa edhe vetmohim, e përkrahën parezervë iniciativën në fjalë në kuadër të listës zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje, zhgënjimi është po aq i madh sa edhe zemërimi. Ka plotë zonja e zotërinjë, të ri e të reja, që votuan listën e LVV-së dhe braktisën shtëpinë e tyre të kahmotshme politike, LDK-në, për ta çuar përpara këtë idenë e një subjekti që pretendohej të bëhej.
Me qindra mijëra votues që zakonisht votën e tyre e kishin të dedikuar për LDK-në, me 14 shkurt 2021, votuan LVV-në, jo që ideologjia politike e LVV-së zinte vendin e duhur në zemrat e tyre, e as që ata besonin në programin qeverisës të një subjekti të majtë, por vetëm e vetëm se besuan në krijimin e një shtëpie të re, një subjekti të ri politik, normalisht me orientim djathtist (jo majtist) pas përfundimit të zgjedhjeve.
Subjekti që nuk lindi asnjëherë, e që tanimë u kuptua botërisht se as që do të lindë, ka lënë pa fole politike një numër jashtëzakonisht të madh votuesish. Realisht, është shumë e kuptueshme që këta njerzë nuk e kanë aspak të lehtë, e besa shumica e kanë të pamundur, të bëhen pjesë e LVV-së; thjeshtë bindjet e tyre politike ndryshojnë thelbësisht nga ideologjia politike që brumosë LVV-në.
Në të njejtën kohë, këta votues ndihen në siklet edhe sa i përket rikthimit në shtëpinë e tyre politike të mëherëshme, LDK. Edhe kjo është e kuptueshme, por rikthimi në LDK është shumë më i lehtë edhe shpirtërisht, edhe politikisht, sesa inkuadrimi puro në LVV.
Andaj, siç e kam thënë edhe më herët publikisht, menjëherë pas konstituimit të institucioneve të reja të vendit të dala nga verdikti popullor i 14 shkurtit, dua që edhe njëherë e në mënyrën më të përzemërtë të mundëshme, t’ju them gjithë këtyre votuesëve të Listës “Guxo” të rikthehen në folenë e tyre të natyrshme politike; të ribashkohen me LDK-në. Fundja, qëllimi madhor i Listës “Guxo” është realizuar me sukses – gara e tyre në zgjedhjet e 14 shkurtit ka qenë për ta bërë znj. Vjosa Osmani Presidente të Republikës; dhe ky qëllim u arritë, falë edhe votave të LDK-së për t’ia bërë kuorumin znj. Osmani. Andaj, nëse bindjet dhe ideologjitë politike tuajat nuk përputhen me ato të LVV-së, pse duhet të rrini në limbo apo në një subjekt ku s’ju flenë zemra, kur mund e duhet të ktheheni aty ku shumë prej juve keni derdhë djersë e mundi me vite të tëra!
LDK nga e cila ju u ndatë nuk është LDK e sotit! Po, ka ende nevojë për vazhdim të reformave në parti, ka ende shumë punë për të bërë LDK-në prijetare politike në vend, ashtu siç e meriton Kosova. Por, bashkërisht këtë e bëjmë edhe më shpejtë edhe më lehtë.
Për hirë të kontributit tuaj të mëhershëm në LDK e për vendin, për hirë të së ardhmes të cilën bashkërisht e bëjmë më të sigurtë për të gjithë, e duke u ndjerë të përmbushur (harro zemërimin e zhgënjimin) për arritjen e qëllimit elektoral që kishit më 14 shkurt e që e realizuat më 4 prill përfundimisht, kthehuni në LDK! Të dielën më 17 tetor, në secilën komunë, ju mund të bëni ndryshimin e duhur duke ia mundësuar LDK-së rikthimin e madh! LDK, me të gjitha sfidat e lëshimet, mbetet sinonimi më i mirë i një partije politike që primar e ka interesin e shtetit, ideologji politike e ka djathtizmin e qendrës, dhe përkushtim e ka miqësinë permanente me SHBA-të.