Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP), për tre mujorin e parë (TM1) 2021.
Sipas rezultateve, dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune, ku përfshihen moshat 15-64 vjeçare. Në kuadër të popullsisë në moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 39.5 përqind. Ndërkaq shkalla e punësimit në Anketën e Fuqi Punëtore (AFP), për tremujorin e parë (TM1) 2021 është 29.3 përqind.
Sa i përket të të punësuarve me kontrata, del se 44 përqind e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 56 përqind kanë kontratë të përkohshme. Sipas rezultateve të AFP-së, në TM1 2021, shkalla e papunësisë është 25.8 përqind. Sipas ASK-së, papunësia më e theksuar është te femrat me 29.7 përqind, krahasuar me meshkujt, 24.2 përqind. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 48.6 përqind. Sipas rezultateve të AFP-së, në TM1 2021, fuqia joaktive është mjaft e lartë, 60.5 përqind, me fokus të veçantë te femrat me 77.3 përqind, krahasuar me meshkujt, 43.5 përqind, percjell Botapress.info