Familja Dehari ka kërkuar përjashtimin e prokurorit të Prokurorisë Speciale, Afrim Shefkiu, nga rasti i djalit të tyre, Astritit.
Nëna e ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Xhemile Dehari në një konferencë për media tha se nuk kanë pasur kurrë komunikim të mirë me prokurorin tash e katër vjet, njofton Botapress.info
Madje, ajo thotë se ekspertizën shtesë për rastin e djalit të saj më parë e patën mediat sesa familjarët, pasi siç thotë komunikimi me të ishte i ‘thatë’ edhe pse në vazhdimësi e thirrnin.
“Jo se kemi zgjedhë ne për të bërë kërkesën për largim të këtij prokurori, por puna e tij na ka detyruar që të bëjmë një kërkesë të tillë. Qe katër vjet duke e pritë as katër fjalë s’i kemi prej tij se si po shkon procesi”.
“Kemi shkuar për të biseduar me të dhe s’na ka thënë asnjë sqarim, nuk na thërret kurrë dhe nuk bisedon kurrë. Ne nuk jemi armiq, jemi njerëz që kërkojmë të zgjidhim rastin që na ka ndodhë” tha ajo.
Kërkesën e familjarëve e bëri të ditur edhe avokati i tyre, Tomë Gashi, i cili tha se ekspertiza shtesë nga Zvcira konfirmoi ekspertizën e vitit 2019 – në të cilën është eliminuar teoria e vetëvrasjes për Astrit Deharin.
“Ekspertiza shtesë faktikisht kanë menduar ta paraqesin krejtësisht ndryshe, por dihet se ekspertiza shtesë vetëm ka konfirmuar eksperzitën e vitit 2019 me të cilën është vërtetuar se është eliminuar teoria e vetëvrasjes së Astrit Deharit dhe është konstatuar pjesëmarrja e personave të tretë në vrasjen e tij”.
“Ekspertiza shtesë e vërteton manipulimin e provave, prokurori as që do të na informojë. I vetmi person përgjegjës është vetë prokurori dhe nëse ai në këtë situatë nuk përgjigjet e bën atë që të mos jetë neutral dhe i paanshëm. Për këtë arsye dhe arsye të tjera ne kemi kërkuar përjashtimin e tij”.
“Prokurori t’i ftojë ekspertët e pavarur, Besim Ymaj dhe Besim Latifin pasi në trupin e Astrit Deharit janë konstatuar plagë të cilat i ngjajnë goditjes me boks. I kemi tri ekspertiza që vërtetojnë vrasjen e Astrit Deharit dhe prokurori është neglizhent saqë nuk është e mundshme që të besojmë se një prokuror shqiptar i Republikës së Kosovës, të jetë kaq neglizhent. Nuk përgjigjet me asnjë fjalë kërkesave tonë të ligjshme sepse ai në media ka deklaruar se do të jetë bashkëpunues me familjen Dehari”, ka thënë Gashi.
Mes tjerash, Gashi bëri të ditur se kërkesa është dërguar të enjten tek ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.