Enver Robelli godet Vjosa Osmanin për Bordin e Paqes

Gazetari Enver Robelli ka goditur ashpër Presidenten Vjosa Osmani, që nënshkroi në Davos anëtarësimin  e Kosovës në Bordin e Paqes, në një ceremoni që u drejtua nga presidenti amerikan Trump.

Në një koment të publikuar në Koha, Robelli thotë se është e kuptueshme që Kosova e ka zor t’i thotë jo një ftese nga Shtetet e Bashkuara edhe kur një nismë të tillë e braktisin shumica e vendeve të BE-së. Por, ai thotë se problematike bëhet kur opinioni “bombardohet paturpësisht me kopalla, rrena e propagandë”.

Robelli është parë në Shtëpinë e Kosovës në Davos ku për disa ditë ka zhvilluar aktivitete Kryeministri Albin Kurti.

“Poshtërsia më e madhe që mund të bëhet ndaj qytetarëve në Kosovë është mashtrimi e propaganda për interesa të ulëta personale e egoiste”.

Në argumentimin e saj në një intervistë për BBC, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Kosova ka pranuar të jetë në një tavolinë ku është edhe Rusia meqenëse ajo s’ka të drejtë vetoje sikurse ka në OKB.

Por, për këtë Robelli thotë se s’u tha e vërteta.

“Po thuhet, për shembull, se në të ashtuquajturin “Bord i Paqes” të Donald Trumpit, nuk kanë të drejtë vetoje Rusia dhe Kina. E vërteta është: as Rusia, as Kina nuk janë anëtare të kësaj trupe (së paku deri tani). Pse kjo rrenë?”.

Robelli komentoi edhe deklaratën e bujshme të këshilltares së Osmanit, ish-kryediplomates Meliza Haradinaj, që e konsideroi këtë anëtarësim të Kosovës si historik.

“Hyrja e Kosovës në këtë organ apo klub po krahasohet pa pikë turpi me shpalljen e pavarësisë (2008) dhe me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi vlefshmërinë e deklaratës për shpalljen e pavarësisë së Kosovës (2010)”.

“Këto krahasime janë të paqëndrueshme. Edhe më keq: janë mashtrim i opinionit. Nuk ka nevojë për rrena, nga asnjë zyrë shteti, as nga ndonjë vartëse në zyrën e kryetares së vendit”, thotë ai.

Deri më tani, Kryeministri në detyrë Albin Kurti se ka thënë asnjë fjalë për anëtarësimin e Kosovës në Bord. Për këtë aludoi edhe Robelli duke shtruar pyetjet: “Cilat janë obligimet? A pati koordinim ndërinstitucional dhe ndërpartiak? Cilat janë përfitimet? A do të jetë Kosova pjesë e këtij klubi edhe pas tre vjetësh kur shpikësi i bordit kërkon 1 miliard dollarë si taksë anëtarësimi? A duhet të pyetet parlamenti për këtë anëtarësim? A duhet të votohet ky anëtarësim në parlament? Kur do të votohet?”.

“Politika e brendshme nuk duhet të shndërrohet në politikë të jashtme. Modelet e rrenave nga e kaluara nuk duhet të përsëriten. As tentimet qesharake për të përdorur topuze morale. As analizat e nivelit të kafehaneve mbi rendin e ri botëror që tani Kosova po e ndërtuaka bashkë me shefin e ri dhe të përjetshëm të “Bordit të Paqes”. I ngjan asaj barsoletës kur elefanti e miu kalonin një urë dhe miu i thoshte elefantit: “E sheh si po e dridhim urën?””./

Të tjera

Aktuale

Enver Robelli godet Vjosa Osmanin për Bordin e Paqes

Gazetari Enver Robelli ka goditur ashpër

Aktuale

Hyn në fuqi ligji për të huajt, publikohet materiali informues

Ministria e Punëve të Brendshme ka