Ka dështuar zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Podujevës në mbledhjen e sotme, pasi në dy raundet e para, kandidatja e vetme për kryesuese, Adelinë Stublla, nuk i kishte votat e mjaftueshme.
Pas pauzës, kur pritej të fillonte raundi i tretë, seanca është ndërprerë për të vazhduar nesër. Kjo, pasi Kuvendi nuk kishte kuorum në mungesë të këshilltarëve të LDK-së, PDK-së dhe AAK-së, të cilët nuk morën pjesë në seancë.
Në foltore doli kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i cili tha se seanca do të vijoj nesër (e enjte 30 nëntor).
“Grupi i LDK-së, dy përfaqësues të AAK-së dhe PDK-ja janë duke bojkotuar zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Jemi të detyruar ta shtyjmë këtë seancë dhe e njëjta të vazhdojë nesër në mëngjes. Jemi të interesuar që ta zgjedhim këtë proces sa më shpejtë. Por, nuk varet nga ne vazhdimi i kësaj seance”, ka thënë Bulliqi.
Adelinë Stublla, kandidatja e vetme për kryesuese të Kuvendit të Podujevës nga radhët e Vetëvendosjes nuk ka arritur të zgjidhet në votimin e parë dhe të dytë, pasi nga 15 vota sa kanë qenë gjithsej, i ka marrë 13, një kundër dhe një abstenim.
Kuvendi i Podujevës ka kohë vetëm deri më 3 janar që të zgjedhë kryetarin, në të kundërtën, do të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme për Kuvendin Komunal.