Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale ndaj vajzave dhe grave ka marrë përmasa shqetësuese. Ato keqpërdoren në forma të ndryshme, kërcënohen e shantazhohen, por jo gjithmonë të dyshuarit bien në prangat e Policisë. Për një rast të tillë që kishte ndodhur muaj më parë në Prishtinë, dje është arrestuar një person.
Opozita kritikon Qeverinë për neglizhencë ndaj komunave për paratë e vërshimeve
Një vajzë 19-vjeçare dyshohet se ishte dhunuar në muajin shtator të vitit të kaluar, nga një person që ishte prezantuar si zyrtar policor.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari për këtë rast është Ramush Salihu, 39-vjeçar, i cili është arrestuar gjatë ditës së djeshme në Lipjan.
I dyshuari fillimisht i ishte prezantuar viktimës rrejshëm si pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe më pas të njëjtën e ka kërcënuar dhe e ka shantazhuar se do iu tregojë prindërve të saj për lidhjen e dashurisë që ka me një person tjetër.
Pas kësaj, 39-vjeçari dyshohet se e ka detyruar viktimën të kryejnë marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj.
Përballë kësaj situate, 19-vjeçarja e kishte denoncuar rastin në Polici, ku para hetuesve policorë kishte rrëfyer gjithë tmerrin që ka përjetuar.
Si rezultat i denoncimit, Policia kishte nisur hetimet, mirëpo i dyshuari kishte arritur t’iu shpëtojë prangave të Policisë, duke qëndruar në arrati deri më dje.
I njëjti është shoqëruar në stacion të Policisë dhe më pas është intervistuar nga hetuesit policorë lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunim’.