Marre nga libri i Mero Bazes : Republika e Parë”
Qeveria ndërkohë vazhdoi përpjekjet për të pasur bashkëpunim me forcat politike që mbështesnin UÇK dhe i frynin zjarrit të ndarjes. Takimi më i rëndësishëm ishte i Oslos, me një delegacion të UÇK, kryesuar nga Adem Demaçi. Takimi u mbajt nga 21-23 maj 1998, në Oslo. Delegacioni i UÇK, kryesuar nga Adem Demaçi, kishte në përbërje: Xhavit Haliti, Fatmir Zymeraj dhe Shaban Muja. Ministria e Mbrojtjes së Kosovës përfaqësohej nga Ahmet Krasniqi dhe Agim Mehmeti. Marrëveshja parashihte që:
1) Dy subjekte ushtarake, UÇK dhe Ministria e Mbrojtjes
bashkohen në një subjekt të përbashkët ushtarak që do të quhet “Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës.”
2) Marrëveshja i njeh formacionet ushtarake që vepronin
në Kosovë së bashku me komandantët e tyre, si dhe me emrin me të cilin qenë zyrtarizuar në opinionin publik.
3) Subjektin e përbashkët “Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës” e përbëjnë këto njësi:
- a) Njësitë operative të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës –
(UÇK).
- b) Njësitë e mbrojtjes territoriale.
- c) Njësitë e aviacionit luftarak.
- d) Njësitë e Ministrisë së Brendshme.
4) Ky subjekt ushtarak do të udhëhiqet nga Shtabi i Përgjithshëm, i përbërë nga përfaqësuesit e subjekteve ushtarake që janë bashkuar në FARK. Një pjesë e këtij shtabi do të veprojë në Shqipëri, pjesa tjetër në Kosovë.
5) Njësitë ekzistuese që veprojnë në vend, do të riorganizohen dhe do të forcohen me kuadro ushtarake profesioniste, me qëllim funksionimin e komandës hierarkike dhe disciplines ushtarake moderne.
6) Kuadri i deritanishëm udhëheqës i njësive të UÇK, do
të gradohet me grada ushtarake sipas kritereve të përgjithshme dhe propozimeve konkrete për çdo njësi veç e veç.
7) Ndalohet politizimi i ushtrisë.
8) Komunikatat e UÇK nuk do të dalin në opinion pa u miratuar nga komandanti i SHP të FARK, Kol. Ahmet Krasniqi.
9) Opinioni nuk do të njoftohet për bashkimin e subjekteve ushtarake, Ministrisë së Mbrojtjes dhe UÇK në FARK, për shkaqe strategjike dhe diplomatike, derisa ushtria të forcohet në nivelin e kryerjes së aksioneve operative që do ta avanconin atë nga luftimet në mbrojtje, në kaliminin në mësymje, nga lufta guerile në luftë frontale.
10) Do të funksionojnë dy fondet ekzistuese, fondi i Qeverisë së Kosovës dhe fondi “Vendlindja Thërret.”
11) Të gjitha mjetet e grumbulluara në të dy fondet, do të përdoren për forcimin dhe modernizmin e njësive çlirimtare të FARK.
12) Adem Demaçi merr përsipër të konsultohej dhe t’i ofronte detyrën e komandantit të njësive të Mbrojtjes Territoriale të Kosovës, komandant Ramadan Qehaja dhe nëse ai pranonte, të njoftonte Kol. Ahmet Krasniqin.
Me gjasë, kjo marrëveshje i kishte mërzitur më shumë liderët politikë të UÇK për shkak të rolit të ekzagjeruar që merrte Adem Demaçi, figurë e shquar politike, por tejet konfuze dhe i paqëndrueshëm për një projekt kaq delikat.
Nesër do të lexoni: Si u krijuan brigadat 134, 133 dhe 131? Cili ishte roli I Tahir Zemaj, Kemajl Shaqirit, Rrustem Berishës, Nazif Ramabaja, Agim Ramadani, Shaban Dragaj, Fadil Hadërgjonaj, Fahrush Thaçi, Sefedin Kuqi, Musa Gjakova, Lumni Surdulli, Esat Ademaj, Faruk Gjemajli, Sali Çeku, Zymer Luli, Sebahate Tolaj dhe Ismet Çeku?