Një ekip nga mbikëqyrësi bërthamor i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) është nisur për në centralin bërthamor të Zaporizhias në Ukrainë.
Rafael Grossi, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) ka thënë se ekipi pritej të mbërrinte në termocentral gjatë kësaj jave, raporton BBC.
“Ne duhet të mbrojmë sigurinë e objektit më të madh bërthamor të Ukrainës dhe Evropës”, ka shkruar ai në Twitter.
Centrali bërthamor është pushtuar nga trupat ruse që nga muaji mars.
Luftimet rreth objektit në juglindje të Ukrainës kanë çuar në rritjen e shqetësimit global mbi sigurinë.
Ukraina dhe Rusia kanë akuzuar njëra-tjetrën për bombardimin e zonës të termocentralit bërthamor.
Ditën e djeshme, ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba ka paralajmëruar se kontinenti evropian është në rrezik, për shkak se forcat ruse e kanë kthyer centralin bërthamor të Zaporizhias në bazë ushtarake.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ai ka kërkuar që ushtria ruse të dalë nga uzina.