Botapress, 24 Shkurt – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me Këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, si vazhdimësi e mirëmbajtjes së një komunikimi të rregullt, veçanërisht tani në prag të takimit të së hënës në Bruksel.
Gjatë kësaj bisede, Kryeministri konfirmoi qëndrimin e tij për propozimin evropian si bazë të mirë për bisedimet e mëtutjeshme drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Për marrëdhënie normale, evropiane e të fqinjësisë së mirë, Kryeministri Kurti theksoi që përveç njohjes reciproke në qendër të marrëveshjes, duhet t’i konsiderojmë edhe të drejtat e pakicave kombëtare.
Kryeministri falënderoi z. Chollet për mbështetjen përgjatë procesit të dialogut dhe vëmendjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e posaçërisht të z. Chollet personalisht.
Gjatë kësaj bisede, z. Chollet u njoftua nga Kryeministri që sot në Kosovë, bashkë me 12 gazetarët ukrainas, kemi shënuar njëvjetorin e agresionit duke përkujtuar viktimat por edhe luftën e drejtë çlirimtare të popullit ukrainas, thuhet në njoftimin e Zyrës për Medie të Kryeministrisë së Kosovës.
Kujtojmë se pas deklarimeve të fundit të këshilltarit Chollet dhe adresimeve të kritikave ndaj Qeverisë së Kosovës, në taborrin e pushtetarëve dhe të partisë në pushtet, Vetëvendosjes, shpërthyen kritika deri në linçim të këshilltarit Chollet, ambasadirit Hill e emisarit Escobar duke “akuzuar” se po ia mbajnë anën Serbisë dhe se po i bëjnë presion të madh Kosovës për koncesione në Marrëveshjen eventuale me Serbinë.
Duket se tek tash e ka kuptuar kryeministri Albin Kurti se çka është presioni ndërkombëtar dhe se pse kur udhëton apo kur bisedon me zyrtarë amerikanë duhet ti kesh me vete disa këmisha.
Pra nuk ka më “Amelika, Amelika” por ka falënderimd psf z. Chollet për mbështetjen përgjatë procesit të dialogut dhe vëmendjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e posaçërisht të z. Chollet personalisht, shkruan Botapress.