Asamblistët e Kuvendit Komunal të Gjilanit do të mblidhen sot për të votuar kryesuesin e Asamblesë.
Mbledhja pritet të fillojë në ora 10:00, siç është bërë e ditur.
Deri më tani, Vetëvendosje si partia fituese e zgjedhjeve në krye me Alban Hysenin nuk kanë arritur që të bëjnë koalicion me ndonjë parti, ani pse ishin në bisedime me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK)-në.
Kryetari Hyseni nuk e pati përjashtuar mundësinë e një bashkëpunimi me PDK-në në Komunën e Gjilanit, ndonëse ka mënjanuar idenë e koalicionit me LDK-në.
Më 9 dhjetor, Hyseni u betua si kryetar i Komunës së Gjilanit e i cili mori detyrën nga Lutfi Haziri. Ky i fundit kishte qeverisur me këtë komunë për tetë vite.
Megjithatë, në rast se nuk zgjidhet çështja e kryesuesit përgjatë kësaj mbledhje, komuna rrezikon të shkojë në zgjedhje sërish për asamble.
Kështu e përcakton Ligji për Vetëqeverisjen Lokale, sipas të cilit “kryesuesi i Kuvendit duhet të zgjidhet më së largu 30 ditë pas betimit të anëtarëve të asamblesë”.