Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Zakonisht viktima janë gratë të cilat raportojnë në Polici se janë keqpërdorur seksualisht nga persona të panjohur, por shpeshherë të dyshuar janë edhe persona të afërm të tyre me të cilët kanë krijuar lidhje dashurie. Për një rast të tillë, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka nisur hetimet.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rasti u zbulua pas denoncimit të një 26-vjeçareje, e cila e ka raportuar në Polici një burrë, për të cilin ka deklaruar se e ka dhunuar seksualisht në një motel në magjistralen Prishtinë – Ferizaj.
Demolohen zyret e kompanisë “Bifurkacioni” në Ferizaj, vidhen DVR-të e kamerave
Sinjali mëson se rasti dyshohet të ketë ndodhur pasi viktima dhe i dyshuari ndodheshin bashkë në veturë dhe vendosën të bënin një shëtitje. Bazuar në dëshminë e viktimës, i dyshuari e ka mashtruar dhe derisa ishin në lëvizje, ai e çoi në motel Prada, ku me forcë dyshohet se e detyroi të kryenin marrëdhënie seksualë.
Si rezultat i denoncimit, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ku janë bërë ekzaminimet e nevojshme në motelin ku dyshohet se ndodhi rasti.
Pas përfundimit të procedurave policore, lidhur me rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar nisjen e hetimeve në drejtim të veprës penale “Dhunimi”, derisa veprimet e tjera do të ndërmerren posa të sigurohet prezenca e të dyshuarit.
Gazeta do t’iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.