Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në një familje në rrugën ‘Sefedin Xërxa’ në Gjakovë, ku një person dyshohet se ka sulmuar fizikisht nënën e tij, të cilën edhe e ka kërcënuar e ofenduar.
Burimet e Gazetës brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 68-vjeçarja ka denoncuar rastin në Polici, ku ka bërë me dije se i biri po i shkakton dhunë psikike në vazhdimësi.
Përveç nënës së tij, 42-vjeçari i dyshuar ka ushtruar dhunë edhe ndaj kunatës së tij, e cila po ashtu ka dhënë deklaratë në Polici, lidhur me atë që ka ndodhur në shtëpinë e tyre.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore e kanë arrestuar të dyshuarin, i cili më pas është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratë për veprën me të cilën ngarkohet.
Pas përfundimit të procedurave, me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në ndalim dhe ndaj tij është iniciuar rasti si “Dhunë në familje”./’Botapress.info/