Një aksident trafiku kishte ndodhur fiks një muaj më parë në rrugën rajonale Skenderaj – Drenas, saktësisht në fshatin Polac, ku si pasojë kishte mbetur i lënduar rëndë një person. 30-vjeçari ishte dërguar me urgjencë në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Mitrovicë, e më pas për shkak se ishte në rrezik për jetë, ishte transportuar për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda QKUK-së bëjnë me dije se viktima nuk ka arritur që t’i përballojë plagët e marra në aksident dhe si pasojë ka ndërruar jetë sonte në spital.
Rastin tragjik e ka konfirmuar për Sinjalin edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, i cili tha se nga aksidenti kishte mbetur i lënduar edhe pasagjeri.
“Në aksidentin e ndodhur më 6 maj është përfshirë një veturë, ku si pasojë e aksidentit lëndime kanë pësuar shoferi dhe pasagjeri . Ndërsa sonte rreth orës 22:00, është raportuar se si pasojë e lëndimeve në QKUK ka vdekur i shoferi i veturës”, tha Zahiti.
Deri te aksidenti dyshohet të ketë ardhur për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë me kushtet e rrugës, me ç’rast i ndjeri kishte humbur kontrollin dhe ishte përplasur me anësoret e rrugës.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.