Këtë deklarim, e pandehura Abdyli e ka bërë të hënën, në Gjykatën Themelore në Prizren, në shqyrtimin fillestar, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Ervehe Gashi.
Sveçla publikon fotografi se çka u konfiskua në një banesë në Mitrovicën e Veriut
“I kam ra, s’po thom që si kom ra, por sa qato të nximet, sa qato senet me ja bo, jo bre”, ka thënë e akuzuara Abdyli, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mbrojtësi i të akuzuarës Abdyli, avokati Besim Morina deklaroi se heq dorë nga e drejta për parashtrimin e kërkesës për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, kjo pasi që sipas tij, nuk posedojnë prova me të cilat do të kundërshtonin aktakuzën.
Pas kësaj, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Raima Elezi shqyrtimin fillestar e shpalli të përfunduar, ndërsa shqyrtimin gjyqësor për këtë rast e ka caktuar të mbahet më 15 dhe 27 shtator 2023.
Më 13 korrik 2023, Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda ka ngritur aktakuzë ndaj Nazire Abdylit, se më 23 dhjetor 2022, me dashje ka privuar nga jeta anëtaren e familjes-motrën e bashkëshortit me të cilën ka jetuar në ekonomi të përbashkët familjare, e mllefosur për shkak të papastërtisë së viktimës Saime Domazeti, e cila ishte e shtrirë në dhomën e katit të dytë të shtëpisë së të akuzuarës Nazire Abdyli.
Sipas aktakuzës, e akuzuara Abdyli, me një dru të ahut në gjatësi prej 25 cm dhe trashësi 4×2.5 cm, me një pjesë të laminatit, me ngjyrë të bardhë, me gjatësi prej 87 cm dhe trashësi 4×1.2 cm dhe një copë dërrase të llamperisë në gjatësi prej 78 cm dhe trashësi prej 1.2×10 cm, e godet disa herë viktimën në të gjitha pjesët e trupit dhe së fundit në pjesën e majtë të fytyrës duke i shkaktuar gjakderdhje në tru dhe si pasojë e këtij lëndimi më 26 dhjetor 2022, vdes viktima Domazeti.
Për këto veprime, Abdyli po akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.3 të KRPK-së./Botapress.info/