Dyshohet se dorasit ikën në këmbë nga vendi i ngjarjes

Për vrasjen e mbrëmshme të rreshterit Muhamed Lika në Kaçanik, dy persona janë të dyshuar në këtë rast. Kështu ka thënë Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Burim Çerkini. Ai theksoi se dyshohet se nga vendi i ngjarjes kanë ikur në këmbë të dyshuari.

Në një konferencë për media, Çerkini theksoi se ende nuk dihet motivi apo arsyeja që ka mundur të qojë dorasit drejt vrasjes së policit Lika.

Kryeprokurori Çerkini nënvizoi se kjo vrasje nuk ka të bëjë me pistën e grabitjes, ashtu siç është raportuar nëpër media.

Çerkini: Janë intervistuar shumë persona, dëshmitarë, persona që kanë rastisur në vendin e ngjarjes

Lidhur me atë nëse i ndjeri Lika ka mundur të ketë pasur mosmarrëveshje me dikë, Çerkini tha se i ndjeri ka qenë profesional në punën e tij dhe se nuk ka indikacione që e thonë të kundërtën.

Çerkini: Deri më tani ne nuk kemi persona të arrestuar për këtë çështje penale

“E di që ka në rrjedhur informata dhe dyshime për arrestimin e personave të ndryshëm, për dyshimin se cilët persona kanë munduar ta kryejnë këtë vepër penale. Mund t’iu them me siguri të plotë se deri më tani ne nuk kemi persona të arrestuar për këtë çështje penale. Ne nuk dimë arsyen apo edhe motivin që ka çuar deri në këtë rast makabër…Nga ajo që shihet është se kanë ikur nga vendi i ngjarjes në këmbë, nuk kemi të dhëna që kanë shfrytëzuar më vonë ndonjë veturë apo mjet tjetër për ikjen nga vendi i ngjarjes. Rreshteri Muhamet Lika njihej si persona goxha profesional dhe nuk kemi ndonjë indikacion qoftë më të voglin që ai gjatë punës së tij si zyrtar policor të ketë pasur ndonjë problem qoftë me procedurat që i ka zhvilluar si zyrtar policor në hetimit e çështjeve penale apo që të ketë ndonjë problem personal që do të na zbardhte motivin e vrasjes së tij”, tregoi Çerkini.

Çerkini: Nuk dihet arma që është përdorur nga dorasit, rreshteri nuk ka shkrepur

“Është përdorë një armë e zjarrit ku në vendin e ngjarjes janë gjetur katër gëzhoja të kalibrit 9.19 milimetra. Nuk është hasur arma e dorasve që e kanë kryer veprën penale në vendin e ngjarjes…Tipi i armës nuk dihet sepse nuk kemi të dhëna…Nga të dhënat deri më tani nuk na rezulton që ka pasur shkrepje me armë nga arma zyrtare e pjesëtarit të Policisë së Kosovës. Në lidhje me identifikimin e personave, shihen dy persona, persona të rinj por që nuk kemi arritur identifikimin apo njohjen e atyre personave që të mund të dimë a takojnë rrethit që ka ndodhur rasti apo ndonjë vend tjetër…Me sigurinë më të madhe mund të themi se nuk ka të bëjë me pistën e grabitjes”, tha Çerkini.

Ndërkaq, prokurori i çështjes, Ismet Rrahmani tha se viktima është goditur një herë dhe nuk ka pasur veshur antiplumb.

Sipas tij, nuk ka indikacione që tregojnë se vrasja mund të lidhet me grabitje.

Rrahmani: Viktima ka marrë vetëm një goditje tejshpuese dhe ai nuk ka pasur antiplumb

“Viktima ka marrë vetëm një goditje tejshpuese dhe ai nuk ka pasur antiplumb. Ka qenë person zyrtar në kryerjen e detyrë zyrtare në një orar të pasdites të zakonshëm…Në vendin e ngjarjes nuk ka ndonjë institucionin mikrofinanciar që do të mund të ishte target i personave në rastin konkret grabitjes”, potencoi Rrahmani.

Prokuroria Themelore në Ferizaj vlerësoi lartë angazhimin e rreshterit policor, Muhamet Lika në kryerjen e detyrave shtetërore. Për vrasjen e rreshterit Lika, ka reaguar edhe ministri në detyrë, Xhelal Sveçla.

“Sulmi ndaj çdo pjesëtari të Policisë së Kosovës është sulm i drejtpërdrejtë ndaj ndaj rendit, institucioneve dhe sigurisë së Republikës së Kosovës. Vrasja e mbrëmshme e Rreshterit të Policisë së Kosovës Muhamed Lika ka prekur rëndë secilin prej nesh dhe gjithë Policinë e Kosovës”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Rreshteri policor, Muharrem Lika fillimisht është plagosur mbrëmë rreth orës 23:00 me armë zjarri në afërsi të banesës së tij në Kaçanik, por më pas nuk iu mbijetoi plagëve të marra.

Brenda dhjetë ditëve të fundit, pesë qytetarë të vendit janë vrarë në Kosovë.

Të tjera