Më 28 shkurt në Londër pritet të mbahet Samiti i Investimeve në Ballkanin Perëndimor 2022, i organizuar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Kosova në këtë samit do të përfaqësohet nga kryeministri Albin Kurti dhe ministri Hekuran Murati.Kjo është konfirmuar nga Neil Taylor, përfaqësues i BERZH-it në Kosovë, raporton Demokracia.com.
“Të hënën mirëpresim kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin Murati në zyrat tona në Londër për Samitin me liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ai.
Përveç Kurtit, në këtë samit do të marrin pjesë edhe krerët e qeverive të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Hapja e samitit do të bëhet nga presidenti i BERZH-it, Odile Renaud – Basso, presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe Komisioneri Europian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi.
Po ashtu, në margjina të këtij samiti do të mbahet edhe një sesion interaktiv me kryeministrat e Ballkanit Perëndimor, i cili përfshin pyetje dhe përgjigje të zgjeruara me investitorët e huaj, përcjell Demokracia.com.
Sa i përket Kurtit, kjo nuk është hera e parë që ai merr pjesë në këtë samit.
Gjatë vitit 2020, ndonëse qëndroi në pushtet pak muaj, Kurti e kishte takuar në këtë samit edhe homologen e tij serbe, Ana Bërnabiq.
Të dy ishin të ulur afër njëri-tjetrit, deri sa kamerat kishin kapur një moment ku po shkëmbenin buzëqeshje mes vete.
Kjo buzëqeshje e famshme kishte shkaktuar reagime të shumta në Kosovë, ku Kurti kritikohej shumë pikërisht për shkak të akuzave që ua bënte paraardhësve të tij në pushtet për takimet me liderët serbë./Botapress.info/