Kosovës i kërkohet qasje tjetër në dialog, thotë i dërguari amerikan, Gabriel Escobar, i cili në një paraqitje të fundit nuk u përmbajt nga kritikat për Albin Kurtin. Të njëjtat vërejtje, kryeministri i Kosovës i mori edhe nga ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier. Ndërkohë, presidenti i shtetit të tyre, e priti Vjosa Osmanin në New York. “Një aleancë e përhershme”, shkroi presidentja duke publikuar një fotografi, e kapur dorë për dorë me Joe Biden.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është kritikuar ashpër nga i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pasi tha se ndërmjetësi i BE-së në dialog, Miroslav Lajçak është angazhuar në një skenar të koordinuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, kundër Kosovës, gjatë takimit të fundit të nivelit të lartë në Bruksel.
Takimi i fundit përfundoi pa sukses dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell tha se “Kurti s’ishte i gatshëm të ecte përpara, ndryshe nga Vuçiqi, për të cilin tha se “e ka pranuar propozimin” e bllokut europian për zbatimin e marrëveshjes. Në këtë pikë, Escobar kërkon përqasje të re, duke e kritikuar specifikisht Kurtin, që, siç tha ai, e ka marrë dialogun “si një opsion vetëm ‘po apo jo’”.
“Ka ardhur koha për një përqasje të re për disa nga personat që e kanë marrë dialogun si një opsion vetëm “po apo jo”. Dhe e kam fjalën konkretisht për qeverinë e Kosovës. Ata kanë një detyrim të qartë për çfarë duhet të bëjnë. Dhe mendoj se deklarata e Borrellit ishte shumë e qartë”, tha diplomati amerikan.
Duke komentuar akuzat e Kurtit se Lajçak po e dëmton dialogun dhe po punon kundër Kosovës, Escobar tha se ai gëzon besimin e BE-së dhe SHBA-së. Kësisoj, tregoi në njëfarë mënyre se s’do të merren parasysh as letrat që Kurti ua ka dërguar kryeqendrave botërore për t’iu treguar se “kemi të bëjmë me një emisar që e ka deformuar procesin”.
“Lajçaku gëzon besimin e plotë të Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara. Të gjitha vendet e BE-së bënë një deklaratë të përbashkët pas dështimit të bisedimeve, me mbështetje për Lajçakun. Është diçka me të cilën duhet të përballen. Lajçaku nuk do të largohet. Dialogu nuk do të largohet. Dhe nuk mendoj se një vend prej një milion e gjysëm do ta bindë komunitetin transatlantik prej 700 milionësh që të ndryshojë taktikat e tij. Mendoj se duhet të ketë një përqasje më pragmatike nga qeveria e Kosovës”, tha Escobar.
Ai përmendi edhe sulmet ndaj Lajçak në rrjetet sociale në Kosovë, për të cilat tha se është alarmuar, duke i kërkuar kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani të reagojnë.
“Gjatë javës së fundit jam alarmuar nga sulmet personale ndaj Lajçakut që ekzistojnë në rrjetet sociale në Kosovë. I kërkova Presidentes Osmani dhe Kryeministrit Kurti që t’i dënojnë këto sulme. Nuk po them se vijnë nga qeveria e Kosovës, por qeveria e Kosovës duhet të jetë shumë e qartë se sulmet personale ndaj përfaqësuesit të posaçëm janë të papranueshme”, tha ai.
Të njëjtat fjalë pak a shumë i tha paraprakisht ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Ai tha të martën në një intervistë për REL-in se “është për të ardhur keq”, që Kurti nuk e pranoi propozimin e BE-së për zbatimin e marrëveshjes.
“Dhe kështu, sërish, këshilla jonë këtu në Prishtinë për Qeverinë e Kosovës, për të cilën unë jam përgjegjës, është që përfitoni nga kjo mundësi, që nuk është e pafundme. Lëvizni me urgjencë, në mënyrë konstruktive, në dialog. Shikojeni dialogun ashtu siç është – mundësi për të ripozicionuar marrëdhëniet tuaja me Serbinë dhe për të avancuar më tej integrimin tuaj në strukturat evropiane dhe euroatlantike. Dhe, durimi nuk do të jetë i pakufishëm për të përfituar nga kjo mundësi ose për të bërë përpjekje të konsiderueshme nga njerëz të nivelit të lartë politikë për ta çuar përpara këtë”, tha ndër tjerash Hovenier.
Ndërkohë, presidentja Vjosa Osmani s’u përfshi në betejën e Kurtit për ta bindur botën se Lajçak po punon kundër Kosovës. Ajo po qëndron në New York, atje ku janë edhe udhëheqësit botërorë, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Osmani sot u pa në pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden. Të dy pozuar dorë për dore me njëri tjetrin.
“Aleanca e Lirisë! Një Aleancë e përhershme!”, shkroi Osmani, duke publikuar fotografinë.
Presidentja në New York pati mundësinë t’i takonte edhe ish-presidentin e SHBA-së, Bill Clinton dhe gjeneralin e pensionuar amerikan, Wesley Clark.
“Dy heronj, një histori, Kosova në mes!”, shkroi ajo në Facebook, duke publikuar një fotografi me ta.
SHBA-ja ka një kohë që përmes përfaqësuesve të saj, e konsideron Asociacionin si çështje thelbësore për t’u zbatuar. Asociacioni së pari. Kjo tash është edhe kërkesë zyrtare e BE-së për Kosovën. Perëndimi e ka hequr çdo dilemë, duke konfirmuar mbështetjen për planin e BE-së për zbatimin e marrëveshjes, të cilin Kurti e refuzoi në Bruksel.
Propozimi i BE-së e ka për bazë krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Nisja e procesit negociues rreth statutit të tij është vendosur në krye të hapave për implementimin e marrëveshjes.