Presidentja Vjosa Osmani është zgjedhur në krye të shtetit, ndër tjerash, duke e bindur edhe deputetin rom, Fadil Gashi. Partitë tjera joserbe pretendojnë se ai e ka marrë mandatin e deputetit me disa dallavere në bashkëpunim me Listën Serbe gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare. Kështu, një vendim i Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje, u tha se mund ta rrëzojë Osmanin nga pozita e shefes së shtetit. Dikush tha jo. Ndërkohë një reagim i ashpër erdhi nga kabineti i Presidentes: “Ky është tentim puç”. Deri tani, ka dy interpretime.
Për sa euro do të shtrenjtohen faturat, ZRRE jep detaje për secilën kategori
Dy ish-deputetë, Veton Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane dhe Albert Kinolli nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës besojnë se do të ishin në karriget e përfaqësuesve të komuniteteve të tyre në Kuvend edhe në këtë legjislaturë nëse nuk do të bëheshin disa dallavere në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.
Ata kanë dy vjet që po e presin një vendim nga Gjykata Kushtetuese. Në prill të vitit 2021, Berisha dhe Kinolli kishin dorëzuar në instancën më të lartë gjyqësore të vendit një ankesë për ta kontestuar një vendim të Gjykatës Supreme në lidhje me dyshimet për orkestrimin e votave nga ana e partisë Iniciativa Rome dhe Listës Serbe në vendbanimet me shumicë serbe.
Fadil Gashi nga Iniciativa Rome tani është deputet i Kuvendit të Kosovës, sipas partive tjera nga komunitetet romë, ashkalinj, egjiptianë, me vota të orkestruara të serbëve.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa kishte konstatuar se Iniciativa Rome “ka marrë vota më shumë se që ka pasur votues potencial të komunitetit rom”, duke iu referuar Agjencisë së Statistikave të Kosovës, raportit të OSBE-së dhe listës së votuesve.
“Votat e marra në vendvotimet e lartcekura nga Romani Iniciativa, janë në disproporcion me numrin e banorëve, të komunitetit rom, e të cilat paraqesin vota të pavlefshme, për faktin se është standard jodemokratik, që me votat e votuesve të një komuniteti tjetër të sigurohet e drejta e përfaqësimit të një komuniteti tjetër dhe si të tilla nuk paraqesin lidhje objektive në mes të votuesit dhe subjektit të votuar”, thuhej në arsyetimin e PZAP-së.
Pas votimit të Qeverisë, Fadil Gashi u desh të bindej për ta votuar Vjosa Osmanin për presidente në prill të vitit 2021, pasi – duke e ditur se sa e nevojshme ishte vota e tij – paraprakisht kishte vendosur të mos paraqitej në një seancë ku Osmani synohej të zgjedhej në pozitën e shefes së shtetit. Por, në fund e votoi.
Ish-kryetarja e KQZ-së: Presidentja mund ta humbë mandatin
Të mërkurën u raportua se presidentja Vjosa Osmani mund të rrëzohet, në rast se Gjykata Kushtetuese vendos në favor të dy ankuesve.
Ish-kryetarja e Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka tregoi të mërkurën se e sheh të mundshëm rrëzimin e Osmanit.
“Ne kemi pasur tashmë një situatë të tillë, apo pak a shumë të ngjashme me këtë, rasti i ish-kryeministrit Avdullah Hoti dhe besoj që kjo situatë do të ishte bukur shumë e ngjashme edhe me atë situatë dhe me siguri që atëherë presidentja aktuale do të duhej të shkonte në rivotim apo konkretisht do ta humbte mandatin e presidentes, sepse nuk do të ishte sigurt a i kishte ato vota të cilat i ka marrë kur është votuar para dy viteve, dhe pastaj do të duhej të shkohej në rivotim”, tha Daka në RTV Dukagjini.
Ish-gjykatësi i Kushtetueses, Kadri Kryeziu tha se në rast të një vendimi në favor të dy ish-deputetëve, Osmani duhet të japë dorëheqje.
“Kur një autoritet shteti merr detyrën e përcaktuar në Kushtetutë dhe deputetët të cilët kanë votuar nuk kanë legalitet dhe legjitimitet të plotë, atëherë detyra e tyre është e përkohshme. Nëse rastin konkret, kandidati për deputet e fiton, Presidentja e shtetit duhet të japë dorëheqje”, tha Kryeziu.
Miftaraj: Presidentes s’i rrezikohet pozita
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha se mandati i Presidentes apo Qeverisë nuk mund të rrezikohet edhe në rast se Gjykata Kushtetuese vendos në favor të Berishës dhe Kinollit.
“Edhe nëse Gjykata Kushtetuese vendos pozitivisht sipas kërkeses së deputeteve Berisha dhe Kinolli të cilët kanë kontestuar kushtetutshmërinë e Aktgjykimit AA.nr.29/2021 të Gjykatës Supreme të Kosovës, si dhe Vendimit Anr.736/2021 të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), sipas praktikes së ndërtuar nga vet Gjykata Kushtetuese por edhe standardet ndërkombëtare lidhur me parimin e sigurisë juridike, nuk mund të rrezikohet mandati i Presidentes së Republikës apo qeverisë”, shkroi Miftaraj të enjten në një postim në Facebook.
Sipas tij, një vendim pozitiv për Kinollin dhe Berishën, potencialisht mund t’ia jepte mandatin e deputetit këtij të fundit, duke ia revokuar mandatin deputetit Fadil Gashi nga Iniciativa Rome. Miftaraj theksoi se faktin që kanë “kaluar afatet kohore kur ka qenë e mundur të kontestohet ligjshmëria e zgjedhjës së Presidentës së republikës”.
Siç tha ai, ky rast “nuk mund të krahasohet me rastin e Qeverisë Hoti”.
“Kjo pasi në rastin e Qeverisë Hoti, procedura kushtetuese ka qenë e iniciuar kundër vendimit për zgjedhjen e Qeverisë. Vlerësimi i mandatit të z. Arifi ka qenë aspekt sekondar, për të vlerësuar kushtetutshmërinë e vendimit për zgjedhjen e Qeverisë. Në rastin konkret, procedura kushtetuese nuk është e drejtuar tek vendimi për përzgjedhjen e presidentes, por vetëm tek mandati i një deputeti, anulimi i të cilit mandat, siç u tha, nuk mund të ketë pasoja më vendimet tanimë të nxjerra (Kjo praktikë e Gjykatës Kushtetuese është ndjekur në rastin e vendimit për përzgjedhjen e z. Pacolli si president dhe vendimin për zgjedhjen e Qeverisë Hoti)”, shkroi Miftaraj.
Presidenca: Ky është tentim puç
Blerim Vela, shefi i stafit në kabinetin e presidentes Vjosa Osmani tha se “kjo është përpjekje për ndikim të vendimmarrjes gjyqësore dhe tentim puç ndaj institucioneve legjitime të Republikës së Kosovës”.
“Pretendimet se gjoja Gjykata Kushtetuese do ta “rrëzojë” Presidenten, është synim perfid për t’i bërë presion Gjykatës dhe për të krijuar huti në publik. GjK është institucion i pavarur, e cila ka detyrim të qartë ligjor për të ruajtur integritetin e vendimmarrjes gjyqësore”, shkroi Vela në Twitter.
Ai tha se raportimet se Gjykata Kushtetuese mund të marrë një vendim që do ta trazojë skenën politike janë “të realizuar sipas skemës së përgatitur nga Beogradi”.
“E kemi plotësisht të qartë se dezinformatat dhe propaganda që bëhet gjoja duke u thirrë “në burime brenda Gjykatës”, janë pjesë e luftës speciale të realizuar sipas skemës së përgatitur nga Beogradi dhe të realizuar përmes kriminelëve të veriut dhe sekserëve të tyre, të cilët ndodhen në listën e zezë të ShBA-ve. Çfarëdo skenari eventual për të shkaktuar kriza institucionale në Kosovë dhe për ta nxjerrë nga binarët procesin e dialogut (në veçanti për ta parandaluar zbatimin e nenit 4, të marrëveshjes), është vetëm skenar i vetë Serbisë”, shkroi Vela.
Gjuhën e Velës e cilësoi të rrezikshme dhe të papranueshme Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, në një reagim.
Si hyri Iniciativa Rome në Kuvend?
Inciativa Rome i krijua pak para se të mbaheshin zgjedhjet e përgjithshme parlamentare më 14 shkurt 2021.
Partitë tjera të komuniteteve joserbe kishin mbetur të habitura se si kjo parti kishte arritur t’i merrte mbi 4 mijë vota në pak ditë angazhim politik.
Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha kishte thënë se kjo parti ishte koordinuar me Listën Serbe për të marrë vota më shumë se ç’mundej në vendbanimet me shumicë serbe.
Berisha thoshte se Iniciativa Rome kishte marrë shumë vota në vendvotimet ku më herët ishte votuar me shumicë Lista Serbe.
“Ne po aludojmë dhe po e lidhim me Listën Serbe. Kjo është mjaft mirë e koordinuar me Listën Serbe, për shkak se në këto vendbanime Lista Serbe është përgjysmuar nga zgjedhjet e kaluar pothuajse. Në ato vendvotime, Lista Serbe në zgjedhjet e fundit kishte marrë vota për vete. Për shembull, vetëm në Graçanicë Lista Serbe ka pasë rreth 8 mijë e 233 vota, ndërsa në këto zgjedhje i ka 4 mijë e 31 vota – përgjysmë më pak. Dhe prej tyre, 1 mijë e 620 vota i ka marrë Iniciativa Rome”, pati thënë Berisha.
Sipas statistikave zyrtare, në Graçanicë jetojnë 745 romë, por Iniciativa Rome atje arriti t’i merrte 1,620 vota.
“Në kushte normale, kjo iniciativë, nëse do t’i merrte të gjitha votat e romëve, do t’i merrte rreth 300 vota maksimumi”, thoshte Berisha, duke theksuar se rreth 70% e romëve ishin gjithsesi nën 18 vjeç, pa të drejtën për të votuar.
Rasti i Adriana Hoxhiq
Kryetarja e iniciativës “Komuniteti i Bashkuar”, Adriana Hoxhiq, ishte zgjedhur deputete në zgjedhjet e vitit 2021, përpara se një vendim i Gjykatës Supreme t’ia merrte këtë mandat, me arsyetimin se kishte marrë vota në shpërputhje me numrin e votuesve të komunitetit boshnjak. Ajo gjithashtu akuzohej se kishte bashkëpunuar me Listën Serbe.
“Nga provat në shkresat e lëndës respektivisht nga hetimi i Panelit, është provuar se numri i votave të fituara nga subjekti politik Ujedinjina Zajednica – Adrijana Hodzic, nuk përputhet me numrin e votuesve të komunitetit për të cilin ka konkurruar, si përfaqësues në Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 14 shkurtë 2021, në Komuna të caktuara”, thuhej në vendimin e Supremes.
PZAP-ja paraprakisht kishte marrë vendim për t’ia anuluar partisë së Hoxhiqit një pjesë të votave në Zveçan, Leposaviq e Mitrovicën e Veriut.
Vendin e Hoxhiqit në Kuvend e kishte zënë Duda Balje nga partia SDU.