Drejtori i Financave në Komunën e Gjilanit nga radhët e PDK-së, Riad Rashiti ka deklaruar se Buxheti komunal për vitin 2023 duhet të miratohet nesër, kur është edhe afati i fundit ligjor.
Përndryshe sipas tij, Komuna e Gjilanit do të humb mbi 3,5 milion euro, pjesën e buxhetit të rritur për vitin 2023, ku pastaj rrezikohen shumë projekte dhe investime kapitale.
Ai i ftoi të gjitha subjektet politike dhe të gjithë asamblistët e Kuvendit Komunal në Gjilan, që të jenë pjesë aktive e punës dhe e funksionimit normal, të institucionit më të lartë në komunë.
“Duhet të gjithë së bashku të reflektojmë në këtë situatë, e cila është bërë pengesë për vendime të rëndësishme në asamblenë komunale. Vetëm me qasje konstruktive, bashkëpunim dhe kordinim në mes të gjitha subjektet politike, mund të ecim përpara drejtë zhvillimit dhe integrimit shoqëror. Inatet politike nuk duhet të shkojnë aq largë, sa për të ja humbur qytetarëve të Gjilanit miliona euro projekte zhvillimore”, shkroi ai në Facebook.
“Qytetarët e Gjilanit kërkojnë punë dhe angazhim nga të gjithë ne papërjashtim, për të përmirësuar infrastrukturën, jetën dhe mirëqenien e tyre, përmes investimeve në projekte të të gjitha fushave. Bashkë mund të bëjmë më shumë”, përfundoi Rashiti.