Me përcaktimin e vlerës së re të koeficientit, pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Kosovë pritet të ulen ndjeshëm. Në fakt, në vlera të përafërta, ato do të jenë rreth 700 deri në 800 euro më të ulëta, varësisht nga departamenti ku ka shërbyer gjyqtari apo prokurori.
Me vendimin që e kishte marrë vite më parë kryeministri i Kosovës aso kohe, Ramush Haradinaj, pagat në sistemin e drejtësisë u rritën ndjeshëm. Sipas raportimiit ditë më parë, rroga e gjyqtarit dhe prokurorit pas rritjes në vitin 2017, ishte mbi 2 mijë euro. Edhe kjo, varësisht nga departamenti ku kanë shërbyer.
Me vlerën e koeficientit prej 105 euro, pagat do të jenë dukshëm më të ulëta. Në fakt paga e një gjyqtari do të lëviz nga 1 mijë e 627 euro e deri në 1 mijë e 260 euro. Varësisht nga departamenti ku shërben.
Hovenier: Asociacioni s’duhet të jetë me kompetenca ekzekutive, është koha që të ecet përpara
Gjyqtari në Gjykatën Supreme do të paguhet 1 mijë e 627 euro. Ai në departamentin special të Gjykatës Themelore 1 mijë e 396 euro. Gjyqtari që trajton krimet e rënda dhe rastet me të mitur do të paguhet 1 mijë e 344 euro. Kurse, gjyqtari në Gjykatën Themelore do të paguhet 1 mijë e 260 euro.
Pra, në përgjethsi, pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë ulur për rreth nga 500 euro te një kategori e prokurorëve, 700 te disa tjerë, e deri në 1 mijë te udhëheqësit e institucioneve.
Paga më të larta do të marrin gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese. Rroga e tyre do të jetë 1 mijë e 722 euro, kurse e kryetarit të Kushtetueses 1 mijë e 837 euro.
Kurse, paga e prokurorëve do të ndryshojë. Prokurori në Prokurorinë Speciale do të paguhet 1 mijë e 627 euro. Ai në krime të rënda dhe në themelore 1 mijë e 344 euro dhe 1 mijë e 260 euro.
Kryeprokurori i Shtetit do të paguhet 1 mijë e 785 euro. Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës 1 mijë e 732 euro, kurse Kryeprokurori i Speciales 1 mijë e 627 euro.
Kohë më parë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte vendosur t’ua ulë pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve me vendim të qeverisë. Megjithatë, vendimi ishte rrëzuar nga Gjykata duke i vënë masë të përkohshme, dhe pagat e gjyqtarëve e prokurorëve mbetën ashtu siç kanë qenë që nga koha kur i kishte rritur ish-kryeministri Haradinaj.
Nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës kanë paralajmëruar edhe mundësinë e dërgimit të Ligjit për Paga në Gjykatën Kushtetuese.
Sa ishin paguar gjyqtarët e prokurorët
Një gjyqtar i gjykatës në vitin 2017 paguhej në vlerën NETO 1 mijë e 30 euro. Kurse, pas rritjes së pagës nga Haradinaj, e cila i preku edhe gjyqtarët e prokurorët, gjyqtarët paguheshin NETO 2 mijë e 129 euro. Varësisht nga departamenti ku shërbenin. Pra, që nga sot e tutje, gjyqtarët do të paguhen rreth 700 euro më pak se kur paguheshin në 4 vitet e kaluara.
Një lëvizje pak a shumë e ngjashme është edhe në sistemin prokurorial. Gazeta ka marrë si rast krahasimi një prokuror që është paguar në vitin 2017. Paga vjetore e tij ka qenë 15 mijë euro. E pas rritjes së pagave nga Haradinaj, ai është paguar 25 mijë euro. Pra, në një lëvizje të tillë, ulja do të jetë rreth 700 euro në muaj.
Deri më tash, kryetari i Gjykatës Supreme paguhej 2 mijë e 950 euro, kurse gjykatësit e Supremes 2 mijë e 655 euro. Kryetari i Apelit deri më tash paguhej 2 mijë e 655 euro.
Kryeprokurori i Shtetit paguhej 2 mijë e 655 euro, kurse Kryeprokurori i Speciales 2 mijë e 802 euro. Pagë prej 2.389 eurosh merrnin edhe kryeprokurorët e prokurorive themelore, derisa prokurorët e këtyre prokurorive paguheshin 1.672 euro.
Nacionale më poshtë sjell pagat e plota në sistemin e drejtësisë me ligjin e ri:
Prokurorët:
Kryeprokurori – 1 mijë e 785 euro
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës – 1 mijë e 732 euro
Kryeprokurori i Speciales, Apelit, Prokuror në Speciale, Prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit – 1 mijë e 627 euro
Kryeprokurori i Themelores, Prokurori i Apelit – 1 mijë e 470 euro
Prokurori për krime të rënda – 1 mijë e 344 euro
Prokurori i Prokurorisë Themelore – 1 mijë e 260 euro
Bashkëpunëtor profesional – nga 913 deri në 749 euro varësisht nga departamenti
Gjyqtarët:
Kryetari i gjykatës Kushtetuese – 1 mijë 837 euro
Gjyqtar i gjykatës kushtetese – 1 mijë e 722 euro
Kryetar i gjykatës supreme – 1 mijë e 785 euro
Kryesues i KGJK-së – 1 mijë e 732 euro
Gjyqtar në gjykatën supreme, Kryetar i Gjykatës së Apelit, Komerciale – 1 mijë e 627 euro
Kryetar i Gjykatës Themelore – 1 mijë e 470 euro
Gjyqtarë në departamentin Special të Themelores – 1 mijë e 396 euro
Gjyqtar për krime të rënda dhe të mitur – 1 mijë e 344 euro
Gjyqtar i gjykatës themelore – 1 mijë e 260 euro
Bashkëpunëtor profesional – 892 euro, 749 euro. Varësisht nga divizioni
Zyrtarët tjerë – nga 451 euro deri 614 euro