Bashkimi Evropian ka deklaruar se do të vlerësojë dhe do ta mirëpresë çdo kontribut konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit ku po diskutohet për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, përfshirë këtu edhe draftin e dërguar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama te Franca dhe Gjermania.
Kështu ka deklaruar për Paparaci.com, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano i cili është shprehur se Shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell është në kontakt të vazhdueshëm me liderët e rajonit dhe të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
“Çdo kontribut konstuktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, nën të cilin po diskutohet për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe është i mirëseardhur. Borrell është në kontakt të vazhdueshëm me liderët e rajonit dhe të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian”, tha Stano.
Megjithëkëtë, Stano është shprehur se diskutimi dhe hartimi i statutit të Asociaiconit mund të bëhet vetëm në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, derisa ka njoftuar se një takim në nivel ekspertësh ishte caktuar për 5 dhe 6 qershor për që u shty për shkak të situatës në veri.
“Siç është thënë shumë herë më parë, diskutimi dhe hartimi i statutit të Asociacionit/Bahskësisë mund të bëhet vetëm në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Një ftesë për seancën e parë hartuese të ASMM-së në nivel ekspertësh iu dërgua të dyja palëve më 5 dhe 6 qershor. Takimi nuk ka mundur të zhvillohet për shkak të përshkallëzimit në terren. Në vend të kësaj, Lajçak udhëtoi për në Prishtinë dhe Beograd”, tha Stano.
Stano ka bërë të ditur se Bashkimi Evropian si lehtësuese dhe ndërmjetësuese e dialogut Kosovë – Serbi, “është gati të presë së shpejti seancën e hartimit dhe është në kontakt me të dyja palët”.
Dje, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se ua ka dorëzuar presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz një draft për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe. Në një konferencë për media në Tiranë të enjtën, Rama zbuloi se së fundmi ia ka dorëzuar dy liderëve evropianë dokumentin për formimin e Asociacionit.
Ai u shpreh i shqetësuar për trazirat në veri të Kosovës.
“Dje ia kam përcjellë Macron dhe Scholz një draft të Asociacionit. Është një draft i punuar nga ekspertë të nivelit më të lartë amerikanë dhe evropianë prej kohësh; gjë që është bërë pikërisht në rast se do vinte kjo ditë, kur palët dhe në këtë rast për mua i pakupshtueshëm është pozicioni i Kosovës”, tha ai. “Ky është një dokument konfidencial që nuk pretendon të jetë zgjidhja ideale, por është një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e asociacionit”.
Rama ka thënë se lidhur me këtë draft të Asociacionit nuk është konsultuar ende me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Ai ka thënë se Shqipëria është palë në bisedimet Kosovë-Serbi.
“Drafti është neutral. Nuk është bërë as për njërin as për tjetrin. Është bërë për Kosovën në radhë të parë. Për mua është Kosova mbi të gjithë. Unë jam këtu për Kosovën, nuk jam këtu as për njërin, as për tjetrin. Si kryeministër i Shqipërisë që sheh sesi një pjesë e kombit tim po hyn në një kurs përplasje me ata që e lartësuan kombin tim si asnjëherë më parë dhe që hodhën bomba për kombin tim, unë e ndjej detyrë ndaj kombit tim ti them këto fjalë”, tha Rama.
Kjo nismë e Ramës nuk u prit mirë nga pushteti në Kosovë. Deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë kritikuar ashpër Ramën për këtë. Madje, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila ka deklaruar se “rruga për në ferr është e shtruar me qëllime të mira”.
“Përtej asaj se një iniciativë ndoshta me qëllim të mirë, por që mund të shkoj keq, është një thënie e vjetër që thotë se ‘rruga për në ferr është e ndërtuar me qëllime të mira. Prandaj nuk e shoh jashtë këtij konteksti as këtë propozim”, deklaroi Kusari Lila, derisa tregoi se nuk e kanë parë draft-statutin e Asociacionit.
“Ne nuk kemi si ta shohim, për arsye se nuk e kemi parë atë draft-statut. Siç ka thënë vet kryeministri Rama, nuk është konsultuar. Unë mendoj që specifikat dhe rrethanat e këtij procesi në Kosovë, janë të tilla që duhet pasur në konsideratë, krejt historinë e këtij procesi dhe natyrisht rëndësinë e kuptimit të rrjedhës përpara bazuar në parime”, tha ajo.
Kundër kësaj nisme ka dalë edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Ai në T7 ka deklaruar se nuk dihet se pse Shqipëria ka dalë me një qëndrim të tillë, por sipas tij, propozimi mund të bëhet pjesë e diskutimit, por jo implementimit.
“Atë që duhet ta them është që as një propozim që nuk ka autorësi të institucioneve të Kosovës nuk ka vlerë për Kosovën”, ka vazhduar ai.
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës dhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj deklaroi dje se draft-asociacioni i kryeministrit Edi Rama duhet ta ketë mbështetjen në Kosovë. Ai tregoi se e ka parë propozimin në fjalë, veçse refuzoi ta komentojë të njëjtin. Hoxhaj e quajti të drejtë, të duhur dhe të domosdoshëm hapin e Shqipërisë në tejkalimin e situatës aktuale në vend.
Lidhur me draftin e Ramës ka pasur deklarime dhe reagime të ndryshme në Kosovë, derisa nuk është bërë ende publike përmbajtja e propozimit. /Botapress.info/