Qeveria Kurti II po shkon drejt pjesës së fundit të mandatit të saj, ndërsa dorëheqjet e ministrave dhe zëvendësministrave po shtohen. Deri me tani kanë dhënë dorëheqje katër ministra dhe katër zëvendësministra.
Ministrat dhe zëvendësministrat e larguar deri me tani kanë bërë me dije se veprimet e tyre i kanë ndërmarr për arsye personale.
Vetëm brenda javës së fundit dy anëtar të kabinetit qeveritar kanë dhënë dorëheqje.
Sot është zyrtarizuar dorëheqja e ministrit të Mbrojtje, Armend Mehaj, për të cilën Nacionale kishte raportuar një ditë më parë.
Para disa dite, dorëheqje ka dhënë edhe zëvendësministrja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit (MASHTI), Edona Maloku-Bërdyna. Këto nuk janë dorëheqjet e vetme. Në këtë tekst do të evidentohet dorëheqjet tjera në Qeverinë Kurti.
Dorëheqja e Mhejat
Ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka njoftuar edhe zyrtarisht për dorëheqjen e tij nga kjo pozitë.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka treguar se dorëheqje ka dhënë për arsye familjare.
“Sot, më 08 gusht 2023, në mirëkuptim dhe mirëbesim të plotë, me kërkesën time, Kryeministri Albin Kurti më ka liruar nga detyra e Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës! Kjo kërkesë prej anës sime, ka ardhur për arsye familjare, për të cilat e kam njoftuar Kryeministrin Kurti, me kohë që më parë. Ai më falënderoi për punën time si dhe për të gjitha angazhimet e përbashkëta deri më sot, gjatë këtyre 29 muajve sa isha në detyrën e Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Mehaj në profilin e tij në “Facebook”.
Ai ka falënderuar kryeministrin Kurti dhe ministrat e tjerë të qeverisë për punët e përbashkëta. “Pas shumë vitesh shërbim në uniformë, për mua si ushtarak ka qenë përgjegjësi dhe privilegj ta merrja këtë detyrë kaq të lartë, nëpërmjet të cilës profesionalizmi dhe përvoja ime ushtarake, erdhën në shprehje në formë politikash dhe strategjish shtetërore”, ka shkruar Mehaj.
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka falënderuar Mehajn për kontributin e dhënë.
“Ministrin Mehaj e falenderova për punën e pandërprerë, kontributin mbresëlënës, bashkëpunimin e rregull dhe angazhimin e tij shembullor nga dita e parë e marrjes së detyrës.” – ka shkruar Kurti në profilin e tij në Facebook.
Dorëheqjet e ministrave të shëndetësisë
Ministri i parë që ka dhënë dorëheqje në Qeverinë Kurti II ka qenë ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Për shkak se kishte vendosur t`i futej garës për kryetar të Prishtinë në zgjedhjet lokale, Vitia në tetor të vitit 2021 kishte dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.
Ndonëse iu kishte ruajtur pozita, pas humbjes në këtë garë, Viti nuk kishte pranuar kthehet në pozitën e ministrit të Shëndetësisë.
Pasardhës i tij ishte emëruar doktori i njohur Rifat Latifi, i cili ministër ishte emëruar në vjeshtë të vitit 2021. Por, as ky nuk kishte qëndruar gjatë në këtë pozitë. Pas gati një viti pune në këtë post, më 6 tetor të vitit 2022 Latifi kishte dhënë dorëheqje nga pozita e zëvendësministrit. Edhe Latifi kishte bërë me dije se nga kjo pozitë është larguar për arsyeje personale.
Pas largimit të Latifit, ministër i Shëndetësisë është emëruar përsëri Arben Vitia.
Në qeverinë Kurti dorëheqja ka pasur edhe nga ministrat e komuniteteve. Pas veprime të Qeverisë në veri, Lista Serbe kishte vendosur të largohet nga institucionet. Në këtë mënyrë ishte larguar edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Goran Rakiq. Pas disa muajve, në vend të tij është emëruar Nenad Rashiq.
Dorëheqjet e zëvendësministrave
Përveç ministrave, në Qeverinë Kurti ka pasur edhe shumë dorëheqje të zëvendësministrave.
E fundit që ka dhënë dorëheqja është zëvendësministrja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit (MASHTI), Edona Maloku-Bërdyna.
Ajo ka bërë me dije se dorëheqja ka dhënë për arsyeje personale.
Më 1 prill të këtij viti nga kabineti qeveritar është larguar edhe zëvendësministrja e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Linda Çavdarbasha. Edhe kjo e fundit ka bërë me dije se dorëheqja e saj ka të bëj me arsyeje personale.
Dorëheqje të zëvendësministrave kishte edhe gjatë vitit të kaluar.
Në tetor të vitit 2022 nga pozita e zëvendësministres së Drejtësisë ka dhënë dorëheqje Nita Shala. Kurse në nëntor dorëheqje nga pozita zëvendësministrit të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit (MASHTI) kishte dhënë Dukagjin Pupovci.