Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka marrë vendim mëngjesin e hershëm të së mërkurës për shkarkimin e anëtarëve të ekipit menaxhues për hartimin e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Ky vendim për shkarkimin e katër anëtarëve serbë është marrë menjëherë pasi të martën në Bruksel u prezantua draft-statuti i parë i Asociacionit që u refuzua nga pala kosovare.
Lirohet nga detyra Ekipi Menaxhues për hartimin e draftstatutit të Asociacionit
Sipas arsyetimit të dhënë në shkrimin në Facebook, Krasniqi ka thënë se ky ekip është edhe vet pa status, andaj ka marrë vendim për lirimin e tyre nga detyra.
“Pas prezantimit të djeshëm në Bruksel të draft statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sipas përgjegjësive që i ishin dhënë Ekipit Menaxhues në marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015, ky ekip tash edhe vet është pa status. Andaj, sot me datë 03 maj 2023, kam marr vendim për lirimin nga detyra të anëtarëve të këtij ekipi menaxhues, në përbërje të Danijela Vujičić, Jelena Bolovic, Igor Kalamar dhe Dejan Radojković.”, shkruan Krasniqi. /Botapress.info/