Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka gënjyer sot publikisht kur akuzoi Partinë Demokratike të Kosovës se i ka falur krimet e luftës dhe vrasjet.
“Juridikisht, krimet e luftës nuk amnistohen, nuk parashkruhen, por politikisht ka pasur përpjekje serioze për t’i amnistuar krimet e luftës, prandaj Serbia është shfajësuar në kohën kur ju keni qeverisur. Ndërsa, për herë të parë, Qeveria e Kosovës i trajton seriozisht”, pretendoi Haxhiu.
Në nenin 2 të Ligjit për Amnistinë thuhet se të gjithë kryerësve të veprave penale të listuara në nenin 3 të këtij ligji, të cilat janë kryer para datës 20 qershor 2013, u jepet lirim i plotë nga ndjekja penale apo nga ekzekutimi i dënimit, në përputhje me kushtet e paraparë me nenin 3 të këtij ligji.
Por, në nenin 4 të këtij ligji, tregohet saktesisht se cilat janë veprat që përjashtohen nga amnistia.
Këto janë disa nga veprat e përjashtuar nga amnistia e vitit 2013:
Veprat e përjashtuara nga amnistia e vitit 2013 janë: Gjenocidi, krimet kundër njerëzimit ku përfshihen: vrasje, shfarosje, skllavërim, deportim ose përzënie me dhunë të popullsisë, torturim. Burgosje ose privime të tjera të rënda të lirisë fizike në kundërshtim me rregullat themelore të së drejtës ndërkombëtare. Dhunim, skllavëri seksuale, prostitucion të detyruar, shtatzëni me dhunë, sterilizim të detyruar, persekutim, zhdukja e detyruar e personave, krimet e aparteidit dhe vepra të tjera çnjerëzore.
Për këtë deklaratë, Haxhiut i ka reaguar edhe vetë ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuqi. Ai ka thënë se nuk e ka dëgjuar deklaratën e saj, duke theksuar se në Ligjin për Amnistinë, i propozuar dhe miratuar në mandatin kur Kuqi ka qenë Ministër i Drejtësisë, janë përjashtuar aministimi për krimet e luftës, vrasjet dhe korrupsioni.
“Nuk e paskam dëgjuar se në çfarë konteksti e paska nxjerrur një deklarate te tille, as në kuptim te intervistës se plotë, as te kohës, por ne mandatin tim është propozuar dhe miratuar Ligji për Amnisti që ka përjashtuar amnistimin e krimeve të luftës, krimet kundër njerëzimit dhe të drejtës ndërkombëtare. Bile edhe krimet e vrasjeve dhe korrupsionit janë përjashtuar nga amnistimi. Dhe kjo vërtetohet lehtë në ligjet e miratuara në Kuvend të Kosovës. Nëse është tendencë që të barazohet nënshkrimi i deklaratës është çështje tjetër dhe do të shihen pasojat ditëve në vijim… Mund ta shikoni edhe Ligjin e Amnistisë të miratuar në Kuvend”, ka thënë Kuqi. /Botapress.info/