Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, të martën është ndërprerë seanca në të cilin ishte paraparë dhënia e mbrojtjes nga ana e të akuzuarit Jeton Vllasaliu, pasi që i njëjti tha se është pisiqikisht i ngarkuar.
“Ju betohem që nuk jam mirë. Psiqikisht jam shumë i ngarkuar. Vazhdimisht po duhna me shku tani te psikiatri për me mujt me mu rahatu se nuk po muj, sidomos kur po kom qisi sene, kur po përmenden… në kësi situate po jom shumë keq”, tha i akuzuari Jeton Vllasaliu
“Nuk jam ka du me bo loja, se nuk di me bo loja, por nuk po muj”, shtoi tutje i akuzuari, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në këtë rast Jeton dhe Nexhat Vllasaliu akuzohen për vrasjen e e Bedri Rexhepit në vitin 2021, shkak përvetësimi i dobisë pasurore.
Lidhur më këtë prokurori i rastit Armend Hamiti tha se kjo situatë po shihet më shumë si zvarritje e këtij shqyrtimi.
Po ashtu, edhe mbrojtësi i palës së dëmtuar, avokati Besnik Berisha tha se i akuzuari Jeton, ka aftësi manipulative dhe siç tha ai “pesha e krimit nuk e lë të njëjtin rahat”.
“Ne jemi të vetëdijshëm se pesha e krimit që e ka kry i akuzuari nuk e lenë rahat për aq kohë sa po përpiqet të krijoi variantin e pestë të ngjarjes për të cilën jemi këtu. Sikurse të jemi të vetëdijshëm për aftësitë e tij manipulative për 18 muaj rresht për të krijuar versione e insinuata për vrasjen e tani të ndjerit Bedri Rexhepi”, tha avokati Berisha.
Lidhur me deklarimin e avokatit Berisha, mbrojtësi i Jeton Vllasaliut, avokati Ndrec Dodaj shprehi pakënaqësinë e tij ndaj gjykatë për lejimin që klientit të tij t’i përdoren këso emërimesh.
“Unë nuk e di a ke deklarim mortor, a çka kenë këtë rast. Së pari për disa deklarime që nuk lejohen në këtë procedurë. Janë të karakterit fyes kur i thuhet manipulim, nuk është në të drejtën e askujt me u marrë më këso konstatimësh, e më sa paku me ju gjykata… nuk është e drejtë dhe e ndershme”, tha avokati Dodaj.
Për shkak të kësaj deklarata të dhënë nga i akuzuari Vllasaliu, trupi gjykues mori aktvendim, duke ndërprerë kështu seancën për një datë tjetër.
Paraprakisht, gjatë kësaj seance i akuzuari Jeton Vllasaliu deklaroi se tani me ndjerin Rexhepi që nga viti 2015-2016 ka pasur raporte të mira.
“Unë thash që për herë të parë e kom taku në 2002 e pastaj deri në 2015 apo 2016 nuk më kujtohet nuk kam pas kontakt me të. E pastaj prej 2015-16 e kom vazhdu me u njoft me ta super mire… Gjate kësaj periudhe deri në ditën kritike kur thom super mire, një njeri që e kom ftu brenda në shtëpinë time, për mu domethënë që janë super të mira”, tha Vllasaliu.
Gjatë deklaratës së tij ai tha se me të ndjerin kanë bërë biznes më shit-blerje të veturave.
“Po ka pas rast qe kom shit vetura dhe ka pas raste kur unë i kam blerë veturat”, shtoi tutje i akuzuari.
Kurse, në pyetjen e mbrojtësit të tij, avokatit Dodaj, se për ku ishin nisur me të ndjerin në ditën kritike, Vllasaliu tha se ata ishin nisur për në Kamenicë.
Tutje, në pyetjen e mbrojtësit të tij, sa a kishin mburritur në Kamenicë, i njëjti deklaroi që nuk kishin arritur të mbërrijnë, pasi që ata ishin ndaluar nga katër persona për të cilët i akuzuari tha se nuk i njohtë
Ndërsa, në pyetjen e mbrojtësit të tij se si i kishin ndalur këta persona, Vllasaliu tha se ajo ditë ka qenë e kobshme për të ndjerin ndërsa për të ditë e zezë.
Kjo seancë ka filluar rishtas, për shkak të ndërrimit të trupit gjykues, në të cilin bënë pjesë tani gjyqtari Agim Kuçi, në vend të gjyqtarit Adnan Kamberi.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ngarkohen me veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1.6 dhe 1.4 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Në aktakuzë thuhet se prej periudhës 9 janar 2021 deri më 8 prill 2021, të pandehurit Vllasaliu në bashkëkryerjeje pas marrëveshjes paraprake, kishin filluar planifikimin për të privuar nga jeta të dëmtuarin Bedri Rexhepi, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore.