Kryeministri Kurti në Forumin Botëror Ekonomik, s’ka folur vetëm për ekonominë. Nga Qeveria kuptohet se Kurti në Davos ka pasur qëllim edhe “shpërfaqjen” e Serbisë para ndërkombëtarëve dhe lidhjet e saj me Rusinë. Sipas ish-kryeministrit Hoti, thirrjet për investime dhe paralajmërimet për konflikt nuk shkojnë bashkë.
Para nisjes së Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ku mblidhet elita botërore politike dhe ekonomike, Kryeministri Albin Kurti u pyet nga gazeta zvicerane Tages-Anzeiger se cili do të jetë mesazhi i tij në këtë forum. Ai tha:
“Vizitoni dhe investoni në Kosovë! Sepse Kosova është një vend progresiv, pro-evropian dhe demokratik. Kosova është një histori e dyfishtë suksesi. Në vitin 1999, shtetet demokratike të NATO-s ndaluan gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Që atëherë, ne kemi dëshmuar se zhvillimi ekonomik dhe demokracia shkojnë me njëra-tjetrën”.
Në kuadër të Forumit Ekonomit Botëror, çdo vit zhvillohen takime dhe diskutime mbi ekonominë, me pjesëmarrës top lidërët botërorë. Por, si në secilin tubim tjetër të rëndësishëm, këtë herë edhe në Davos, vëmendja ishte te Ukraina dhe sulmi i Rusisë ndaj saj. Dhe, Kurti nuk u largua shumë nga kjo temë – së paku siç kuptohej nga intervistat e tij në mediat zvicerane.
Kurti ka folur për situatën në vend, edhe në raport me Serbinë dhe qëllimet e Rusisë për ta destabilizuar Kosovën. Për mediumin zviceran Blick, ai tha se presidenti rus, Vladimir Putin do që të hapë konflikt në Kosovë.
“Putini dëshiron të nxisë konflikt në Kosovë. Unë jam i kujdesshëm, por kurrë nuk kam frikë. Jam vigjilent. Putini është i fiksuar pas vendit tonë. Ai është i lumtur me mungesën e suksesit të intervenimeve perëndimore në Irak dhe Afganistan. Atë e zemëron që në Kosovë pati sukses intervenimi”, ka thënë Kurti në intervistë për gazetën zvicerane “Blick”.
Ish-kryeministri Avdullah Hoti e ka kritikuar gjuhën e Kurtit në Forumin Ekonomik Botëror. Ai shkroi sot se “Thirrje për investitorë dhe paralajmërime për konflikt nuk shkojnë bashkë”.
“Shkon në Davos dhe e organizon një minikonferencë për investime, për të cilën e paguan një kompani konsulente 58,341.19 franga zvicerane pa asnjë procedurë prokurimi”, ka shkruar sot Hoti.
Në një takim që Kurti e ka pasur me kryeministren Sanna Marin, në margjinat e forumit, sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrin, thuhet të jetë folur për shtimin e ushtarëve finlandezë në KFOR.
“U bisedua për rritjen në 70 të numrit të ushtarëve finlandez në Forcat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR)”.
Ish-Kryeministri Hoti përmendi këtë takim me Marinin, kur po numëronte “gabimet” e Kurtit në Davos.
“…Por, në dhomën tjetër, kërkon nja 70 trupa më shumë të KFOR-it nga Finlanda, edhe pse KFOR-i e rrit dhe e zvogëlon numrin e ushtarëve brenda natës sipas nevojës që ka. Çfarë mesazhe janë këto dhe çfarë promovimi i investimeve është ky?!”, ka shkruar Hoti.
Por, Qeveria ka vlerësuar se Kurti me qasjen e tij në Davos ka bërë “shpërfaqjen e Serbisë para opinionit ndërkombëtar, lidhjeve të saj me Rusinë dhe qëllimeve të përbashkëta për destabilizim të Rajonit”.
Këtë e tha zëdhënësi i Qeverisë, kur iu përgjigje Hotit në analizën e tij të pjesëmarrës së Kurtit në Forum.
Ai ka pyetur se me çka nuk është i kënaqur deputeti Hoti, duke përmendur pjesëmarrjen e Kurtit në Davos, organizimin e samitit me investitorë, takimin me kryeministren e Finlandës e të tjera aktivitete të kryeministrit në Zvicër.
Takimet për ekonominë
Në ditën e parë të shkuarjes në Zvicër, Zyra e Kryeministrit njoftoi për një samit të investitorëve në Cyrih, që e kishte organizuar Qeveria, ku folës ishin Kurti me vartësit e tij.
“Para më shumë se 60 ndërmarrësve dhe drejtueseve të kompanive të ndryshme, në fushën e infrastrukturës, mjedisit, energjisë, prodhimit dhe teknologjisë së informacionit, Kryeministri Kurti dhe delegacioni qeveritar prezantuan mundësitë që Kosova ofron për investitorë dhe investime të huaja”, njoftoi të hënën ZKM-ja.
Së fundi, kryeministri Kurti takoi Zëvendës Presidenten e Zvicrës, Viola Amherd.
“U bisedua për mundësitë për më shumë bashkëpunim në ekonomi dhe mbrojtje. Me theks të veçantë u bisedua edhe për shkëmbim të përvojave në teknologji të informacionit dhe edukim”, thuhej në përshkrimin për takimin e Kurtit me Amherdin.
Një takim tjetër që Kurti e kishte në Davos ishte me homologun e tij nga një shtet i ri, Timori Lindor. Në takim, sic njoftoi Zyra e Kryeministrit, u diskutua për marrëdhëniet diplomatike të të dy shteteve.
Në Davos, gjatë Forumit Ekonomik Botëror, kryeministri Kurti zhvilloi një takim edhe me ministrin e Investimeve të Arabisë Saudite, Khalid Al-Falih.
“Theks të veçantë patën temat e energjisë së ripërtëritshme, infrastrukturës dhe turizmit, dhe mundësitë që Kosova ofron për bizneset e huaja në këto sektorë”, thuhej në njoftim.
Njoftimi i fundit nga Davosi ka ardhur për një takim – jo për ekonomi e investime – mes Kurtit dhe emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajcak.
“Fillova ditën time në Davos me një diskutim të thelluar me kryeministrin Albin Kurti. Folëm për hapat e ardhshëm në dialog për normalizimin e marrëdhënieve dhe çështjet urgjente aktuale”, ka shkruar Lajçak në Twitter.
Lajcakun, Kurti do ta takojë edhe kur të kthehet, të premten në Prishtinë.
Në Davos, këto ditë ka qëndruar edhe ish-presidentja Atifete Jahjaga. Ajo ka njoftuar vazhdimisht me shkrime dhe fotografi në rrjetet sociale për takimet që po i mbante në kuadër të Forumit Botëror Ekonomik.