Përfaqësuesi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian (BE’së), Josep Borrell, ka bërë të ditur mbrëmë se palët e Kosovës dhe Serbisë, sërish do të takohen këtë muaj në Bruksel, shkruan Gazeta Botapress.
Pas takimit të nivelit të lartë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vucic, Borrell para gazetarëve dje tha se emisari i BE’së, për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, do t’i ftojë shefat e grupit të negociatorëve dhe ekspertët e tyre, shumë shpejt në Bruksel.
“Bisedimet duhet të vazhdojnë shpejt. Ne duhet të vazhdojmë që ta shtyjmë këtë proces përpara. E falënderoj Miroslav Lajçakun për punën e tij të rëndësishme. Ai do të ftojë kryenegociatorët dhe ekspertët në Bruksel shpejt”, tha Borrelli në këtë konferencë, duke iu referuar Besnik Bislimit dhe Petar Petkovicit.
Kush ishin anëtarët e ekipit menaxhues që sot u shkarkuan nga Qeveria e Kosovës
Ai paralajmëroi edhe një takim të parë të Grupit të Përbashkët Monitorues për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit ku Kosovën në këtë grup e përfaqëson ambasadori ynë në Bruksel, Agron Bajrami, ndërsa Serbinë, kryenegociatori Petar Petkovic.
“Ai do të nis diskutimet në takimin inaugurues me Grupin e Përbashkët Monitorues që u krijua në Marrëveshjen e Ohrit. [Edhe ky grup] Do të takohet këtë muaj, dhe të shpresojmë se do të jemi në gjendje të shmangim një eskalim që mund të çojë në një krizë të re dhe të rrezikojë zbatimin e marrëveshjes”, deklaroi Borrell.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic, u takuan të martën mbrëma në Bruksel.
Dy udhëheqësit miratuan, fillimisht, Deklaratën për të Zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë.
Deklarata parasheh disa angazhime për palët, që mund të çojnë në zbardhjen e fatit të mbi 1.600 personave që vazhdojnë të mbeten të zhdukur nga lufta e viteve 1998/99.
Pikë e dytë e takimit ishte diskutimi për Asociaconin, por që pala kosovar e refuzoi draft-statutin e propozuar nga Ekipi Menaxhues dhe kështu s’pati marrëveshje. /Botapress.info/