Dollari tani është në nivelin më të lartë të 20 vjetëve të fundit kundrejt valutave tjera botërore, pjesërisht falë pritjeve që kanë ekzistuar se Rezerva Federale e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (Fed) do të rrisë normat e interesit më shpejt se shumica e të tjerëve.
Këto janë dhjetë arsyet pse dollari amerikan është valutë e rëndësishme.
Amerikanët jashtë vendit
Dollari i fuqishëm është i shkëlqyeshëm nëse jeni një turist amerikan. Hotelet, drekat apo çantat e stilistëve janë më të lira në krahasim me Londrën, rivierën e Francës apo vendverimin Kankun në Meksikë.
Është e panevojshme të thuhet se e kundërta vlen për udhëtarët që shkojnë në Shtetet e Bashkuara, përveç nëse paraprakisht kanë blerë biletën për në Disneyland ose kanë rezervuar argëtimin në Las Vegas. Pra, gjithçka do të kushtojë më shumë.
Pariteti i valutës
Ky është një bonus shtesë për amerikanët që udhëtojnë në cilindo nga 19 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) që përdorin euron si monedhën e tyre, por është pak ngushëlluese për evropianët që udhëtojnë në SHBA.
“Made in Amerika”
Për blerësit në mbarë botën që kërkojnë markat amerikane, dollari i fuqishëm nënkupton se ata mund të paguajnë më shtrenjtë në rast se shpërndarësit e mallrave nuk janë përpjekur të zbutin goditjen nga ngritja e vlerës së monedhës.
Ditëve të fundit, kompanitë amerikane si Mattel Inc, prodhuesi i kukullave Barbie dhe makinave Hot Wheel, kanë thënë se tashmë po shohin efektet e ngritjes së dollarit edhe pse klientët janë të gatshëm të paguajnë më shumë.
Për gjigantin Proctor & Gamble, prodhues i produkteve për nevoja të përditshme, siç janë pelenat apo detergjenti Ariel, ngritja e dollarit është reflektuar gjithmonë në shitjet e tyre
Problemet në horizont
Për argjentinasit, ngritja e dollarit në raport me pezosin, nënkupton dyfishim të çmimeve lokale brenda vitit dhe thellim të krizës ekonomike. Qeveritë dhe bizneset e shumë prej ekonomive të reja financohen nga emetimi i aksioneve në dollarë amerikanë. Shumës që ata tani kanë borxh, i është rritur vlera nëse matet me valutat vendore. Përdorimi i tregut për më shumë kredi, gjithashtu është bërë më i shtrenjtë, pasi normat janë ngritur në SHBA.
Lënda e parë e papërpunuar
Shtetet sikurse Turqia dhe Egjipti, të cilat importojnë shumë lëndë të para, janë goditur dyfish. Shumica e mallrave, që nga nafta e deri te gruri, e ndërlidhin çmimin me dollarin, që do të thotë se paguajnë më shumë me valutën lokale për çdo barel ose fuçi, të cilat janë masa për sasinë e naftës, përkatësisht të grurit. Kjo po ndodh në një kohë kur çmimet e shumë prej këtyre materialeve janë tashmë në një nivel të lartë shumëvjeçar për shkak të luftës në Ukrainë, kushteve ekstreme klimatike dhe pas tronditjes nga pandemia e shkaktuar nga koronavirusi.
Ndihmë nga jashtë për shtëpinë
Fuqizimi i dollarit është një lajm i mirë për njerëzit në vendet e varfra, si Meksika apo Guatemala, të cilët varen nga remitencat e dërguara nga të afërmit që punojnë në SHBA. Pasojat e pandemisë COVID-19 u dhanë një goditje të rëndë këtyre remitencave në vitin 2020, por që nga atëherë është regjistruar një rikuperim i qëndrueshëm.
Inflacioni
Madje edhe për shtetet e pasura, sikurse Gjrmania, ngritja e dollarit do të thotë se mund të shfaqen vështirësitë ekonomike, sepse e forcon inflacioni që edhe ashtu është në rritje, përmes importit të shtrenjtë. Bankat qendrore lokale në përgjithësi i janë përgjigjur rritjes së normave të interesit, që do të thotë se kredimarrja është më e vështirë dhe rritje ekonomike më e ngadaltë.
Grumbullimi i rublës ruse
Rubla ruse është e vetmja valutë në botë që është në përparësi kundrejt dollarit këtë vit, gjë që është një rezultat i papritur për një vend nën sanksione ndërkombëtare, për shkak të pushtimit në Ukrainë.
Por, kjo fuqi e rublës, që është rezultat i kontrollit të kursit të këmbimit, për një rus të zakonshëm ka pak domethënie. Moska mund të grumbullojë dhjetëra miliarda dollarë çdo muaj nga shitjet e energjetikëve në Perëndim, por familjet ruse ende nuk mund t’i tërheqin kursimet e tyre në valuta të huaja. Shumë marka perëndimore, që nga Adidas tek H&M dhe Ikea, kanë ndaluar shitjet në Rusi që nga fillimi i luftës në shkurt.
Bitcoin
E reklamuar si mbrojtja përfundimtare kundër inflacionit, kriptovaluta më e madhe në botë nuk i përmbushi pritjet dhe niveli i rënies është me më shumë se gjysmën e vlerës së saj, pavarësisht çmimeve të pakrahasueshme të konsumit në pjesën më të madhe të botës.
Një numër i madh i investitorëve individualë, të cilët investuan në kriptovaluta gjatë fuqizimit të tregut vitin e kaluar, tani kanë hequr dorë nga monedhat digjitale, në mënyrë që kursimet e veta t’i transferojnë në valutë amerikane, e cila konsiderohet nga ta si më e sigurt dhe që tani ka nisur t’u sjellë normat e interesit./Botapress.info/