Gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarit të 31-të me (kod 4753), Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) përmes prokurorit Matt Halling, prezantoi një dokument të vitit 1998 që sipas tij ishte gjetur në shtëpinë e Jakup Krasniqit.
Prokurori Halling kërkoi që ky dokument të pranohet si provë materiale në këtë çështje.
“Parashtrojmë që ka indicie të mjaftueshme që justifikojnë pranimin e këtij urdhri që ka të bëjë me Mahir Hasanin. Dokument që mbanë datën 31 maj 1998. Sa i takon burimit të këtij urdhri, ky dokument është gjetur në shtëpinë e Jakup Krasniqit”, tha prokurori Mat Halling.
Privimi nga jeta në Vushtrri, policia kap edhe tre persona tjerë
Prokurori tha se sipas këtij dokumenti, Mahir Hasani vihej në dispozicion të bazës në Drenoc nën komandën e “Gjermanit” për të cilin dëshmitari tha se ishte Xhemë Gashi.
“Në fjalinë e parë të këtij dokumenti thuhet z.Mahir Hasani nga Peja vihet në dispozicion të bazës së Drenocit nën komandën e z.Gjermani”, tha Prokurori.
Për këtë dokument, dëshmitari tha se është i datës së njëjtë kur Mahir Hasani kishte shkuar në Drenoc mirëpo thotë se nuk e di se kush e ka shkruar.
“E njëjta datë është 31. Nuk e di, kush e ka shkru le të tregon”, tha dëshmitari.
Ky dokument u pranua si provë materiale nga trupi gjykues mirëpo pati kundërshtime nga mbrojtja e Hashim Thaçit përmes avokatit Gregory Keohe dhe mbrojtja e Jakup Krasniqit përmes avokatit, Aidan Ellis.
Avokati Keohe tha se nuk ka bazë për pranimin e këtij dokumenti dhe se dëshmitari nuk ka lidhje me të.
“Nuk ka bazë fare pranimi i këtij dokumenti. Ky dëshmitar nuk ka lidhje fare me këtë dokument. Ai thotë që nuk e ka parë më përpara. Është dokument që nuk është nënshkruar nga askush, kështu që si do të përcaktojmë tërësinë e këtij dokumenti, si do e vërtetojmë. Ne parashtrojmë se nuk ka temësi ky dokument”, tha avokati Keohe, raporton Betimi për Drejtësi, transmeton Klankosova.tv.
Ndërsa, avokati Ellis tha se edhe ata e kanë të njëjtin kundërshtim.
“Ne e kemi të njëjtin kundërshtim. Është dokument që nuk është i nënshkruar, as nuk mban vulë dhe nuk tregon asgjë sa i takon autorit të tij. Është dokument i paplotë se në fillim farë thuhet; personi i autorizuar dhe pastaj kemi dy shifra dhe nuk ka asgjë tjetër që shkruhet dhe kështu dëshmitari nuk mund të bëjë vërtetimin e këtij dokumenti”, tha Ellis.
Pas kësaj, dëshmitari i 31-të është duke e vazhduar dëshminë e tij në sesion privat për publikun./Botapress.info/