Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, në seancën e sotme në Kuvendin e Kosovës, është shfaqur e ashpër ndaj Presidentes Vjosa Osmani dhe Kryeministrit Albin Kurti, për siç tha ajo, tendencën për të kontrolluar përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
E gjithë kjo, meqë Presidentja Osmani ende nuk ka realizuar kërkesën e PDK-së, që të kenë edhe një anëtarë të dytë si përfaqësues në KQZ, për të cilën Deliu-Kodra pohon se është e përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
”Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti duhet t’i japin fund tendencës për të kontrolluar përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”.
”Kushtetuta siç e dini, është mjaft e qartë: PDK-së i takon përfaqësuesi i dytë në KQZ”.
”Presidentja e Kosovës duhet të emërojë anëtarin e propozuar nga PDK, në këtë institucion dhe të ndërpres orvatjet e Lëvizjes Vetëvendosje që të krijojë shumicën dërmuese në këtë institucion. KQZ nuk është institucion që vendimmarrjen ta dominojë një parti politike. Përkundrazi, anëtarët e KQZ-së emërohen që të kujdesen për zbatimin e ligjit të zgjedhjeve. Sepse nga zgjedhjet varet edhe jeta demokratike e një shteti”.
Lidhur me këtë veprim të Presidentes Osmani, deputetja e PDK-së, thotë se qëndron arsyeja se ajo po ndjek rrugën në shërbim të plotë të Lëvizjes Vetëvendosje.
”Vjosa Osmani nuk e ka emëruar deri tani anëtarin e dytë të PDK-së në KQZ, sepse ajo po ndjek rrugën në shërbim të plotë të Lëvizjes Vetëvendosjes dhe të Listës Guxo”.
”Presidentja e Kosovës duhet të ndalojë t’u shërbejë kalkulimeve politike të kryeministrit Kurti duke mos ia njohur kështu të drejtën kushtetuese të përfaqësimit në KQZ, subjektit politik nga radhët e komunitetit boshnjak VAKAT”.
”Presidentja e Kosovës sidomos pas përgjigjes që ka marrë nga Gjykata Kushtetuese, duhet që urgjentisht të emërojë anëtarin e dytë të PDK-së në KQZ dhe t’i njoh po ashtu të drejtën edhe VAKAT-it. Çdo vendim tjetër, është sulm mbi të drejtën tonë kushtetuese dhe rrezikon hapur procesin demokratik si dhe zgjedhjet e lira në vendin tonë”./Botapress/