Rithemelimi po përsërit sërish skenarin e dhunës në Kuvend. Ndërsa ligjvënësit do të mblidhen sot për të diskutuar, Sali Berisha me deputetët e tij sërish kanë mbledhur grumbull karriget në Foltore me qëllim për të sabotuar punën e Kuvendit.
Por kësaj radhe, Rithemelimi nuk ka marrë karriget e socialistëve, por ato të opozitës dhe i ka mbledhur para Foltores që mos të mbahen fjalime.
Para nisjes së seancës plenare, Sali Berisha deklaroi se Rithemelimi do të vazhdojë betejën e nisur.
“Mendoj se ky është vendimi më i përgjegjshëm. Alternativa e këtij vendimi do të ishte bojkoti, por bojkoti do të ishte një dëshirë dhe kënaqësi e Edi Ramës, të cilën nuk do ia plotësojmë. Ne do vazhdojmë betejën.
Ai ka një muaj që nuk hyn në parlament, nuk respekton interpelanca, nuk respekton pyetje, nuk respekton asgjë, ccka shkel Kushtetutën, kurse ne mbrojmë Kushtetutën”- tha Berisha jashtë ambienteve të Kuvendit.
Kryeministri Edi Rama nuk do të jetë i pranishëm në seancë, pasi sot niset drejt Francës për të marrë pjesë në Forumin e Paqes.
Edhe sot ata kanë paralajmëruar kaos dhe mbetet për t’u parë skenari i kaosit që do të përdorin. Seanca e javës së kaluar u zhvillua me tensione, ku Rithemelimi kishte krijuar një pirg me karrige në foltoren e Kuvendit, si edhe ndezën tymuese.
Ky kaos është zhvendosur edhe në Komisionet Parlamentare, të cilat nuk janë zhvilluar dot në Kryesinë e Kuvendi për shkak të bllokimit që Rithemelimi i ka bërë punës. Për këtë arsye, PS ka zhvendosur online të gjithë komisionet, të cilat në fakt kanë pasur diskutime të rëndësishme si buxheti i vitit 2024. Rithemelimi thotë se do të ndjekin këtë taktikë derisa të kthehen të drejtat kushtetuese të opozitës.